Kina: Disa vende zbatojnë standard të dyfishtë në çështjen e terrorizmit

2019-12-04 10:50:11 CRI Komenti juaj Printoni

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying tha të martën në një konferencë për shtyp se terrorizmi është sfida e përbashkët e vendeve të ndryshme të botës dhe lidhur me këtë çështje nuk duhen zbatuar standarde të dyfishta. Por fatkeqësisht, disa vende kanë pikërisht standarde të dyfishta në çështjen e terrorizmit, shtoi Hua, duke shprehur shpresën se këto vende mund të marrin një mësim nga një gjë e tillë.

Disa ditë më parë, në një sulm terrorist në Londër, policia britanike qëlloi nga një distancë e afërt një të dyshuar, ndërsa ai ishte vënë nën kontroll. Ndërkohë, pala britanike e ka kritikuar policinë e Hong-Kongut për zbatimin normal të ligjit, duke zbuluar kështu standardin e dyfishtë që përdor. Siç është raportuar nga media britanike, qeveria britanike ka krijuar të ashtuquajturin "Program të Lënies dhe të Shkëputjes" (DDP), një organizatë e posaçme për personat e lidhur me terrorizmin, duke bërë mbikëqyrjen e detyrueshme të tyre. Por DDP-ja nuk parandaloi efektivisht sulmin terrorist më 29 nëntor në Londër, autori i të cilit kishte marrë pjesë në këtë program prej tetë vjetësh.

Duke folur për këtë çështje, zëdhënësja Hua tha se, përveç Britanisë, edhe mbi 20 vende të tjera kanë marrë masën e krijimit të programeve të detyrueshme për personat e lidhur me terrorizmin. Këto programe për parandalimin e terrorizmit dhe çrrënjosjen e ekstremizmit janë krijuar me qëllim të mirë, ashtu siç ka bërë Kina në Xinjiang duke krijuar qendrat e arsimit e të përgatitjes profesionale. Por, programi në Xinjiang është më sistematik, gjithëpërfshirës dhe më efektiv.

"Hapja e qendrave të arsimit e të përgatitjes profesionale në Xinjiang, është bërë për të çrrënjosur mendimet ekstremiste, për të popullarizuar edukimin lidhur me sundimin e ligjit, për të promovuar e krijuar mundësi punësimi nëpërmjet përmirësimit të aftësive profesionale dhe për t'i kthyer personat e prekur nga idetë ekstremiste e të dhunshme në shoqëri sa më shpejt, që ata të bëjnë një jetë normale e të lumtur ashtu si gjithë të tjerët. Në tre vjetët e fundit, në Xinjiang nuk është regjistruar asnjë incident terrorist. Kjo tregon se masat parandaluese kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në Xinjiang kanë arritur rezultate të dukshme dhe kanë përmirësuar shumë ndjenjën e sigurisë dhe lumturisë te banorët e të gjitha kombësive në këtë rajon. Puna e arsimimit dhe e përgatitjes profesionale në Xinjiang është një hap dhe manifestim konkret i zbatimit nga Kina të nismave kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të ndërmarra nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Strategjinë Globale kundër Terrorizmit dhe Planin e Veprimit për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm të Kombeve të Bashkuara," tha Hua Chunying.

Zëdhënësja shtoi se Kina është e gatshme të shkëmbejë përvojat e suksesshme me vendet e tjera dhe të vazhdojë të kontribuojë në nxitjen e bashkëpunimit antiterrorist ndërkombëtar. Kina shpreson që tragjedia e fundit në Urën e Londrës nuk do të përsëritet më kurrë.(Li Huailiang/Zhan Dian/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore