Akuza e ShBA-së ndaj Kinës për problemin e Afganistanit, e pabazë

2019-12-02 19:01:27 CRI Komenti juaj Printoni

Drejtori i Qendrës së Kërkimeve mbi Afganistanin pranë Universitetit të Lanzhou-t në Kinën Veriperëndimore Zhu Yongbiao kritikoi deklaratën e pabazë të ndihmëssekretares amerikane të Shtetit për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore Alice Wells, e cila e akuzoi Kinën lidhur me problemin e Afganistanit.

Kohët e fundit, mediet afgane raportuan deklaratën e Wells-it në Qendrën "Wilson" në ShBA, se "Kina nuk është një kontribuese kryesore në zhvillimin e Afganistanit dhe nuk ka dhënë ndihmë të rëndësishme për Afganistanin".

Në përgjigje të kësaj deklarate, Zhu Yongbiao tha se veprimi i ShBA-së ishte një akt i "heqjes së përgjegjësisë nga vetja" në kontekstin e planit amerikan për t'u tërhequr nga Afganistani:

"Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të heqin barrën nga vetja dhe akuzojnë vendet e tjera që nuk kanë investuar sa duhet në Afganistan. Disa ditë më parë, edhe Trump-i e përmendi gjatë vajtjes së tij në Afganistan se vendet fqinje gjithashtu duhet të luajnë një rol më të madh. Ky sfond ka qenë relativisht i qëndrueshëm, domethënë Shtetet e Bashkuara shpresojnë të pakësojnë akuzat e botës së jashtme në lidhje me tërheqjen e trupave amerikane dhe, në të njëjtën kohë, që vendet e tjera të ndajnë një pjesë më madhe të kostos".

Zhu Yongbiao theksoi se kontributi dhe investimet e ShBA-së në Afganistan duket se janë të shumta, por në fakt një pjesë e madhe e shpenzimeve kanë sjellë përfitime për ShBA-në:

"Shpenzimet e drejtpërdrejta ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Afganistan janë gati një trilion dollarë, por sasia e ndihmës është shumë më pak se kaq. Në fakt, një pjesë e madhe e parave që ShBA-ja ka investuar në Afganistan, janë kthyer përsëri në Shtetet e Bashkuara, të tilla si pagesat për kompanitë e sigurisë. Paratë për shumë projekte kanë bërë një qarkullim në Afganistan dhe janë kthyer përsëri në Shtetet e Bashkuara. Në fakt ato nuk kanë shkuar në Afganistan, por kanë kaluar nga një xhep në tjetrin brenda ShBA-së."

Zhu Yongbiao gjithashtu deklaroi se lufta në Afganistan u provokua nga Shtetet e Bashkuara. "Ështe si një njeri që hyn në shtëpinë e dikujt, duke e shkatërruar atë, dhe pastaj u kërkon fqinjëve të marrin më shumë përgjegjësi," tha Zhu Yongbiao, duke shtuar se fajësimi i Kinës është i paarsyeshëm dhe me qëllime dashakeqe.(Vera/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore