Kina, kundërmasa ndaj ShBA-së për miratimin e ligjit për Hong-Kongun

2019-12-02 18:46:16 CRI Komenti juaj Printoni

Në përgjigje të këmbënguljes së ShBA-së për nënshkrimin e të ashtuquajturit ligji mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong-Kong, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying tha të hënën se Pekini do të vendosë sanksione.

Hua theksoi se veprimi i ShBA-së shkel seriozisht ligjin ndërkombëtar dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërhyn brutalisht në punët e brendshme të Kinës. Në përgjigje të veprimit të paarsyeshëm të ShBA-së, qeveria kineze do të vendosë sanksione si më poshtë:

"Qeveria kineze ka vendosur të pezullojë rishikimin dhe miratimin e kërkesave për ankorimin e luftanijeve amerikane në Hong-Kong. Në të njëjtën kohë, Kina do të sanksionojë disa organizata joqeveritare amerikane, duke përfshirë "National Endowment for Democracy", Institutin Kombëtar Demokratik për Çështje Ndërkombëtare, Institutin Ndërkombëtar Republikan, "Human Rights Watch", "Freedom House" etj, për reagimin e tyre ndaj ligjit mbi Hong-Kongun".

Zëdhënësja e diplomacisë kineze vuri në dukje se këto organizata duhet të mbajnë përgjegjësi për mbështetjen që kanë ofruar ndaj radikalëve anti-kinezë të Hong-Kongut:

"Faktet kanë vërtetuar se këto organizata joqeveritare kanë mbështetur me mënyra të ndryshme kaosin në Hong-Kong dhe kanë nxitur fuqimisht vandalët të përfshihen në krime të dhunshme ekstreme për të nxitur akte separatiste. Ato duhet të mbajnë shumë përgjegjësi për trazirat që kanë shkaktuar në Hong-Kong. Këto organizata meritojnë sanksione dhe duhet të paguajnë çmimin që u takon".

Hua theksoi se pala kineze i kërkon ShBA-së të korrigjojë gabimet dhe të ndalojë deklaratat apo veprat që ndërhyjnë në çështjet e Hong-Kongut dhe në punët e brendshme të Kinës. Kina do të marrë masa të mëtejshme sipas zhvillimit të gjendjes për të mbrojtur me vendosmëri qëndrueshmërinë dhe begatinë e Hong-Kongut si dhe sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit. (Vera/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore