Hapet Festivali i 2-të Ndërkombëtar i Filmit i Hainan-it

2019-12-02 11:50:23 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën u hap në qytetin Sanya Festivali i 2-të Ndërkombëtar i Filmit i Hainan-it, i organizuar bashkërisht nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe provinca Hainan.

Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e hapjes, drejtori i Grupit Mediatik të Kinës Shen Haixiong u shpreh se në epokën e re, Kina po bëhet një vend i fuqishëm për sa i përket kinematografisë. Grupi Mediatik i Kinës do t'i përdorë Festivalin e Filmit të Hainan-it dhe platforma të tjera për të krijuar urën e shkëmbimeve njerëzore. "Shpresoj se kineastët e vendeve të ndryshme do të kontribuojnë me mençurinë e tyre për zhvillimin e kinematografisë botërore dhe do të japin më shumë energji për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit," tha drejtori Shen.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Hainan-it u themelua në vitin 2018 dhe është festivali më i ri i filmit në Kinë. Në festivalin e këtij viti do të jepen për herë të parë çmimet "Kokosi i artë". 1495 filma nga 80 vende e rajone të ndryshme morën pjesë në konkurrimin për çmimet në tre kategori: filmin artistik me metrazh të gjatë, dokumentarin me metrazh të gjatë dhe filmin me metrazh të shkurtër. Çmimet do të ndahen në ceremoninë e mbylljes së festivalit që do të zhvillohet më 8 dhjetor.

Aktorja e famshme franceze Isabelle Huppert është kryetarja e jurisë së këtij edicioni të Festivalit të Filmit të Hainan-it. Ajo tha:

"Edicioni i parë i Festivalit të Ndërkombëtar të Filmit të Hainan-it vitin e kaluar më ka lënë përshtypje të thellë. U takova me shumë kineastë të rinj nga Azia, me të cilët ndamë përvojat tona. Filmi i ndihmon njerëzit e ndryshëm të takohen së bashku."

Në festivalin e këtij viti janë vendosur edhe tetë njësi të mëdha të shfaqjes së filmave. Më se 200 filma nga 61 vende e rajone do të shfaqen gjatë festivalit. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore