Britani, shërbim përkujtimor për viktimat e sulmit në Urën e Londrës

2019-12-02 11:41:13 CRI Komenti juaj Printoni

Në qytetin Kembrixh të Britanisë u zhvillua një shërbim përkujtimor për viktimat nga sulmi në Urën e Londrës javën e kaluar.

"Unë mendoj që është një kohë e ngarkuar për çdo njeri dhe, kur ndodh një gjë tronditëse si kjo, mendoj që është shumë e rëndësishme që të ndalojmë dhe të lutemi për ata që janë prekur nga ky incident i tmerrshëm në Londër," tha një nga pjesëmarrësit.

Ndërsa një tjetër u shpreh:

"Është e tmerrshme kjo që ka ndodhur dhe kur mëson që edhe banorë të Kembrixhit janë prekur. Donim të vinim dhe të tregonim mbështetjen tonë për njerëzit dhe t'u themi që u kushtojmë vëmendje atyre dhe familjeve të tyre."

Dy veta u vranë me thikë nga një person, i cili u vra nga policia më pas.

Të dy viktimat ishin të diplomuar nga Universiteti i Kembrixhit.

Zv.rektori i këtij universiteti Stephen Toope shprehet:

"Ky është në shumë mënyra një sulm mbi komunitetin tonë dhe është bërë me qëllim. Ai synonte që të krijonte një lloj terrorizmi e pikëllimi dhe e ka arritur këtë. I ka bërë njerëzit shumë, shumë të pikëlluar."

Kryeministri Boris Johnson u shpreh që do të forcohet siguria dhe do të shtohen dënimet me burgim pasi mediat njoftuan që autori i sulmit ishte liruar para kohe nga burgu.

Kreu i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn ka kërkuar më shumë shërbime publike për të siguruar që sulmet terroriste të pakësohen:

"Shërbimi policor në lagje, shërbimi për lirimin me kusht, shërbimi për shëndetin mendor, shërbimet për të rinjtë dhe shërbimet sociale, e sigurisht edhe shërbimi arsimor, luajnë një pjesë jetike në këtë gjë. Pakësimi i këtyre shërbimeve, siç ka ndodhur në dekadën e kaluar, ka krijuar një hendek i madh që mund të çojë në humbjen e mundësive për të ndërhyrë në jetët e njerëzve që më pas kryejnë veprime absolutisht të papërligjshme."

Corbyn-i vlerësoi punonjësit e shërbimeve urgjente që reaguan ndaj sulmit në Urën e Londrës dhe shprehu simpati për të afërmit e viktimave. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore