Tirana International Airport dhuron 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

2019-11-30 10:42:27 CRI Komenti juaj Printoni
Tiranë, 29 nëntor /ATSH/- Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi sot se ka dhuruar 1 milion euro për të përkrahur ndihmat lehtësuese për njerëzit e prekur nga tërmeti me magnitudë 6.4 që ra në afërsi të Durrësit dhe Tiranës më 26 nëntor.

Tërmeti deri më tani ka shkaktuar 49 viktima dhe 750 të plagosur. Qindra njerëz e kanë të pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre të dëmtuara, apo të shkatërruara, dhe pasgoditjet e tërmetit vijojnë ende. Ndërsa qeveria dhe forcat e emergjencës po punojnë pa pushim për të ofruar ndihmë për shpëtimin e jetëve, nevojat mbeten kolosale.

"Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe China Everbright Limited shprehin ngushëllimet e tyre më të sinqerta për viktimat e kësaj tragjedie dhe lutjet tona të përzemërta shkojnë për çdo shqiptar që është duke vuajtur gjatë këtyre ditëve të trishtueshme," u shpreh Kryetari i Këshillit Administrativ të TIA-s, Richard Hu, në emër të China Everbright Limited.

"Bazuar në shkallën dhe kompleksitetin e kësaj emergjence, Aeroporti do të mbështesë Qeverinë e Shqipërisë me një fond prej 1 milion eurosh si ndihmë për t'iu përgjigjur prioriteteve kryesore të përcaktuara nga Qeveria dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë," shtoi z. Hu.

Mijëra njerëz janë prekur nga tërmeti dhe kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme, 1200 veta janë evakuar Thumanë, Tiranë, Durrës, Krujë and Lezhë dhe 4000 persona kanë mbetur të pastrehë sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes. Pasgoditjet e tërmetit vazhdojnë të trondisin rajonin dhe forcat e kërkim-shpëtimit janë ende në kërkim të të mbijetuarve në rrënojat e ndërtesave të shembura në Thumanë dhe Durrës.

Stafi i TIA-s ka organizuar një ekip vullnetarësh që po ndihmojnë njerëzit e strehuar në kampet që janë ngritur dhe kanë menaxhuar me sukses operimet e fluturimeve ushtarake të cilat sjellin ndihma humanitare nëpërmjet Aeroportit. Këto operime po vijojnë pa probleme. (nga ATSH-ja)

Mrekulli
Lajmet Kryesore