Shqiptarët në Kinës solidarizohen me të prekurit nga tërmeti

2019-11-28 16:12:29 CRI Komenti juaj Printoni

Tërmeti me magnitudë 6.4 që zgjati 30 sekonda konsiderohet si më i forti në Shqipëri prej vitit 1979, sipas sizmologëve. Dëmet më të mëdha janë regjistruar në Durrës dhe Thumanë, ku ende ka persona nën rrënoja.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte në spitalin e Traumës pas situatës së krijuar nga ku bëri thirrje për evidentim të shpejtë të situatës në terren.

Ai theksoi: "Është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një evidentim të gjithë situatës në terren pasi duket që ka lëndime të jashtëzakonshme. Shpresojmë që të mos ketë më viktima për shkak të lëndimeve.".

Ndërsa kryeministri Edi Rama duke reaguar pas lëkundjeve të forta të tërmetit shkruan në rrjetet sociale "Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë."

Ekipet e ekspertëve të Emergjencave Civile nga disa vende si Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Turqia etj. u drejtuan drejt Durrësit e Thumanës, dy prej zonave më të prekura nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Shqipërinë.

27 nëntori u shpall ditë zie kombëtare dhe qeveria anuloi ceremoninë e Ditës së Pavarësisë në Tiranë.

Ashtu si edhe në vende të tjera të botës, edhe shumë shqiptarë në Kinë janë tronditur nga dëmet që shkaktoi ky tërmet.

Eranda Allmetaj, studentja shqiptare e doktoraturës në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit uron që situata të normalizohet dhe të gjithë të prekurit nga tërmeti t'i kthehen jetës normale sa më parë. Ajo theksoi gjithashtu se shqiptarët në Kinë kanë ndërmarrë një nismë ku po kontribuohet me të ardhura, të cilat do t'i vijnë në ndihmë familjeve në nevojë.

"Po ndjekim me shqetësim situatën e krijuar në Shqipëri këto ditë, si pasojë e një fenomeni natyror që nuk kurseu as jetët njerëzore dhe solli dëme të shumta materiale. Ndihemi të trishtuar dhe largësia na e shton akoma më shumë dhimbjen. Pasiguria që ka mbërthyer vendin dhe shqetësimi për të afërmit dhe çdo shtetas që jeton në Shqipëri na shoqëron në çdo moment. Deri tani janë raportuar humbje të jetëve njerëzore, ndaj dëshiroj që në emrin tim dhe të të gjithë shqiptarëve këtu, t'i shpreh ngushëllime të thella familjarëve dhe të afrërmve të tyre! Shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen e shkaktuar. Uroj që situata të normalizohet dhe të gjithë të prekurit nga tërmeti t'i kthehen jetës normale sa më parë!

Krahas dhimbjes dhe shqetësimit, ajo që kemi vënë re në këto ditë të vështira, është solidarizimi dhe shprehja e humanizmit të mbarë kombit shqiptar dhe vendeve mike të Shqipërisë me qytetarët e saj. Edhe shqiptarët në Kinë kanë ndërmarrë një nismë ku po kontribuohet me të ardhura, të cilat do t'i vijnë në ndihmë familjeve në nevojë. Pjesë e kësaj nisme, krahas shqiptarëve, janë bërë edhe qytetarë kinezë, koreanë, amerikane apo nga vende të tjera të botës. Jemi mirënjohës dhe falenderues ndaj cilitdo prej tyre! Zemra dhe mendja e të gjithëve ne këtu është me qytetarët shqiptarë dhe urojmë që sado pak të mund të kontribuojmë në lehtësimin e vështirësive që po kalojnë."


1 2 3
Mrekulli
Lajmet Kryesore