Kryetari i CMG-së: Raportimet e mediave perëndimore për Hong-Kongun, larg realitetit

2019-11-14 16:49:32 CRI Komenti juaj Printoni

Më 12 nëntor, gazeta më e madhe braziliane "Folha de São Paulo" publikoi intervistën e gazetarit Nelson de Sa me kryetarin e Grupit Mediatik të Kinës (CMG), Shen Haixiong, me titull "Hong-Kongu i raporteve të mediave perëndimore është larg atij të realitetit - Kryetari i CMG-së shprehet se raportet e mediave perëndimore nuk pasqyrojnë gjithmonë faktet".

Sipas artikullit, Shen Haixiong, kryetari i CMG-së, grupi më i madh mediatik global, u shpreh të hënën në Sao Paulo se trazirat e tanishme në Hong-Kong duhet të konsiderohen si veprime terroriste, dhe jo si demonstrata të thjeshta.

Shen kritikoi raportimet e mediave perëndimore, duke shprehur mendimin se ato nuk tregojnë të vërtetën për rajonin e Hong-Kongut të Kinës. "Mediat perëndimore, veçanërisht media amerikane, përzgjedhin vetëm një pjesë të ngjarjeve, që është larg realitetit. Duket sikur edhe vetë presidenti i ShBA-së Donald Trump nuk i beson raportet e disa mediave amerikane," tha Shen. Dhe më tej ai shtoi: "Me fjalë të tjera, shpresoj që t'ju tregoj faktet që po ndodhin në Hong-Kong. Ato akte ekstreme aty janë veprime terroriste". Fundjavën e kaluar, një protestues u plagos me armë zjarri dhe, nga ana tjetër, një burri që po fliste me protestuesit, iu vu zjarri.

Zoti Shen përmendi me krenari se ai është gazetar dhe ka punuar për shumë vjet në agjencinë e lajmeve "Xinhua". Ai vuri në dukje problemet e mëdha profesionale të mediave në Amerikë Veriore, të cilat duhet të respektojnë më parë faktet.

Në Sao Paulo, Shen nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit mes CMG-së dhe Grupit të Komunikimit Bandeirantes (GBC), përmbajtja e së cilës përfshin ndarjen e burimeve mediatike dhe prodhimin e përbashkët të programeve.

Duke përmendur vizitën e presidentit brazilian Jair Bolsonaro në Pekin tre javë më parë dhe thellimin e bashkëpunimit strategjik mes Kinës e Brazilit, ai theksoi: "Bashkëpunimi mes CMG-së dhe GBC-së po zhvillohet në një kohë të përshtatshme."

Ndërsa ish-ministri i Zhvillimit, i Industrisë dhe i Tregtisë i Brazilit Sérgio Amaral u shpreh: "Ngritja e pandërprerë e statusit të Kinës është 'një realitet i botës' në kohën e sotme. Kjo gjë tregohet jo vetëm nga fakti që Kina është partnerja tregtare më e madhe e Brazilit dhe e shumë vendeve të Amerikës Latine, por edhe nga rritja në shumë fusha të reja, si për shembull, investimet. Brenda disa viteve, investimet kineze në Brazil janë shtuar në 70 miliardë dollarë dhe po vazhdojnë rritjen."(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore