Dita e 4-t e Lojërave Ushtarake Botërore, Kina fiton edhe 13 medalje të tjera ari

2019-10-23 09:25:25 CRI Komenti juaj Printoni

Kina ka fituar 13 medalje të tjera ari në ditën e katërt të Lojërave Ushtarake Botërore në Wuhan.

Në hedhjen e çekiçit për femra, Wang Zheng mori medaljen e parë të artë për Kinën në atletikë në këtë veprimtari.

"Kjo e rriti besimin tim. Edhe pse kam fituar për vendin tim ashtu si në turne të tjera, këtë herë po konkurroj si një ushtare e vendit tim, gjë që është ndryshe. Unë ndihem shumë e emocionuar," tha ajo.

Kina gjithashtu fitoi në finalen ekipore të xhudos për femra, duke mposhtur Francën 3-0.

Anëtarja e ekipit Lan Yu tha para ndeshjes:

"Duhet të kem një fillim të mirë për shoqet e mia të skuadrës që do të ndeshen pas meje, përndryshe, mundësitë për fitore mund të jenë shumë të pakta. Megjithëse ka trysni, unë do të bëj të pamundurën".

Notarët e notaret kineze fituan gjithashtu tre medalje të arta në ditën e katërt të Lojërave.

Ji Xinjie doli i pari në stilin e lirë 400 metra për meshkuj, ndërsa Yu Jingyao triumfoi në stilin bretkosë 200 metra për femra.

Notaret kineze fituan gjithashtu në stafetën 4x200 metra stil i lirë për femra.

Kina gjithashtu mori medalje ari në mundje, parashutizëm dhe lundrim.

Sidoqoftë, skuadra kineze e volejbollit për femra nuk arriti të fitojë titullin, pasi u mund në finale nga kampionet në fuqi të Brazilit 3-1.

Kina është e para në renditje me 54 medalje ari, e ndjekur nga Rusia dhe Brazili.

Mrekulli
Lajmet Kryesore