Podgorica: Kina dhe Shqipëria, potencial për zgjerimin e bashkëpunimit

2019-10-14 16:56:29 CRI Komenti juaj Printoni

Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në 7 dekada, ecuria e tyre, e sotmja dhe perspektiva ishin në fokus të Konferencës ndërkombëtare dyditore që nisi të shtunën në Universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës dhe u përmbyll në Universitetin "Eqerem Çabej" të Gjirokastrës. Rreth 45 studiues nga 14 qendra kërkimore universitare dhe akademike nga Shqipëria, 12 studiues nga Kina, por dhe nga vende të tjera shpalosën në panele të dedikuara për politikën, ekonominë, gjuhën shqipe, kulturën e botimet fakte dhe opinione mbi marrëdhëniet shqiptaro-kineze, traditën, gjendjen dhe të ardhmen e tyre.

Një ndër kumtesat e konferencës të tërhoqi vëmendje ishte edhe ajo e mbajtur prej drejtorit të Akademisë së Radiotelevizionit Publik Shqiptar Gëzim Podgorica.

Në këtë kumtesë z. Podgorica vuri në dukje se, pavarësisht temperaturës politike me ulje-ngritje që ka shoqëruar raportet midis Shqipërisë dhe Kinës, ato mbeten solide dhe pasqyrojnë vullnetin dhe dëshirën e të dy popujve për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. Sipas tij, në realitetin e sotëm këto marrëdhënie duhet të marrin një dimensionim të ri, duke u vendosur në sfondin e ri të zhvillimeve politike dhe ekonomike.

Si një gazetar që e ka vizituar disa herë Kinën dhe ka ndjekur me shumë vemendje zhvillimet aty, Gëzim Podgorica u shpreh se këto zhvillime, veçanërisht në fushën ekonomike e teknologjike, si dhe ndryshimet në mënyrën e jetesës së popullit kinez, janë mjaft mbresëlënës. Ai tha se në Kinë modernizimi ka ndodhur me një shpejtësi si askund tjetër, duke shtuar se përvoja kineze mund t'u shërbejë edhe vendeve të tjera të cilat kanë sfida të vështira zhvillimi përpara. "Kina ofron, rrugë, mundësi, përvojë, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe mbështetje. Është një fuqi e madhe vullneti, pune, pasioni, zhvillimi", theksoi Podgorica.

Më tej ai shprehu mendimin që, në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë, të dy vendet duhet të gjejnë rrugët për të rritur intensitetin e bashkëpunimit. Në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës, e kaluara shërben si një bazë e mirë për t'i çuar lidhjet dhe shkëmbimet.

Z. Gëzim Podgorica vuri në dukje së të gjithë ata shqiptarë që e kanë vizituar Kinën, e kanë ndjerë dashurinë dhe respektin e një brezi të tërë aty për Shqipërinë. Kjo sipas tij duhet të shihet si një mundësi për forcimin e urave të komunikimit që lidhen me mundësitë e bashkëpunimit midis dy vendeve. Njohja reciproke është një kusht dhe mundësi shumë e mirë për të hedhur e forcuar hapat e bashkëpunimit.

Në vijim kreu i Akademisë së Radiotelevizionit Publik Shqiptar nënvizoi se orientimi properëndimor nuk mund të jetë pengesë që Shqipëria t'i kthejë sytë edhe nga shtimi i bashkëpunimit me një fuqi të tillë botërore si Kina. "Avancimi i marrëdhënieve nuk është thjesht një pragmatizëm politik dhe ekonomik, por është një qasje normale, një lexim i domosdoshëm i realiteve të reja në zhvillim", vërejti Podgorica.

Më tej, duke sjellë në vëmendje faktin se gjatë 30 vjetëve të fundit pothuaj të gjithë drejtuesit e shtetit shqiptar e kanë vizituar Kinën, Podgorica shprehu mendimin që këtij komunikimi politik duhet t'i përgjigjet edhe një platformë më intensive bashkëpunimi ekonomik.

Shqipëria është përfshirë në dy projekte madhore të propozuara nga Kina: nismën "Një brez, një rrugë" dhe në mekanizmin e "Bashkëpunimit 17 + 1", por ajo duhet të përpiqet të bëhet më tërheqëse për investimet në kuadër të projekteve infrastrukturore kineze në Europë, tha Podgorica.

Duke vënë në dukje më tej se deri në fund të vitit të kaluar sipërmarrjet kineze kanë investuar në Shqipëri më shumë se 900 milionë dollarë në fushat e infrastrukturës, energjisë, burimeve ujore, minierave etj., Podgorica megjithatë u shpreh se, në kuadër të projekteve të nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit të "Bashkëpunimit 17 + 1", Shqipëria mbetet ende larg asaj që kanë përfituar shtetet e tjera të Ballkanit. Sipas mendimit të tij, krahasuar me vendet e tjera, nisur edhe nga pozicioni gjeografik, Shqipëria duhej të ishte ndër më të favorizuarat, pas ndodhet në kryqëzim të rrugëve detare e tokësore.

"Ne nuk kemi luksin të jemi të vonuar, duke ua lënë vendeve të tjera të rajonit korsinë e shpejtësisë së lartë," theksoi ai, duke shtuar se qeveria shqiptare duhet të hartojë strategji të mirëmenduara për të përfituar nga projektet në kuadër të "Një brez, një rrugë" dhe "Bashkëpunimit 17 + 1" që do të ndihmonin ekonominë e vendit.

Zgjerimi i bashkëpunimit pragmatik midis dy vendeve përputhet me vullnetin e dy popujve dhe kërkesat zhvillimore të secilit vend. Shqipëria duhet të ketë parasysh se marrëdhëniet me Kinën po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe, u shpreh Gëzim Podgorica. "Periudha e tanishme shënon një fazë të re të politikës dhe peshës së Kinës në Ballkan dhe një ritëm e dimension të paparë të projekteve dhe investimeve të saj në rajonin tonë. Një politikë më aktive dhe më bashkëpunuese me Kinën, do të bënte që këto projekte të adresoheshin në mënyrë proporcionale, duke ruajtur kësisoj edhe peshën dhe rolin e secilit vend në ekuilibrat rajonalë", tha ai.

Potenciali i madh i bashkëpunimit midis dy vendeve në infrastrukturë, industrinë minerare, bujqësi, energji, turizëm etj., kërkon që të dy palët të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat efektivë për të realizuar projekte me interes të ndërsjellë, u shpreh në fund të kumtesës së mbajtur në konferencën për marrëdhëniet shqiptaro-kineze drejtori i Akademisë së Radiotelevizionit Publik Shqiptar Gëzim Podgorica.

Mrekulli
Lajmet Kryesore