Roth: BE të mbajë premtimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë

2019-10-14 10:38:41 CRI Komenti juaj Printoni

Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi dy vendet kanë kryer detyrat e kërkuara dhe meritojnë të shpërblehen, deklaroi ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, për gazetën gjermane "Welt am Sonntag".

"Refuzimi do të rrezikonte seriozisht besueshmërinë e BE-së, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Po të krijojmë një vakuum politik, atë do ta mbushin pa shumë ceremoni aktorë si Rusia, Kina, Turqia apo Lindja e Mesme", theksoi ai.

"Partnerët tanë nuk duhet të shkelin fjalën e dhënë", tha ai.

"Më 15 tetor ne duhet t'i hapim dritën jeshile negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dy vendet kanë përmbushur detyrat dhe kjo duhet shpërblyer. Kemi marrë zotimet tona dhe tani duhet t'i mbajmë", theksoi Roth.

Edhe para pak ditësh, Michael Roth tha në një intervistë për DW se "shpresoj që më 15 tetor në Bruksel do të kemi sukses së bashku në dhënien e dritës jeshile për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë". (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore