Arkeologët izraelitë zbulojnë qytetin 5000-vjeçar

2019-10-10 17:10:29 CRI Komenti juaj Printoni

 

Arkeologët në Izrael kanë zbuluar rrënojat e një qyteti të madh 5000-vjeçar afër qytetit të Harishit. Ky zbulim ka hedhur një dritë të re për njohjen e kësaj periudhe.

Ky vendbanim i epokës së bronzit u zbulua rreth 57 kilometra në veri të Tel-Avivit.

Autoriteti i Antikiteteve i Izraelit tha se ky qyteti ishte Nju-Jorku i asaj kohe.

Ai kishte një sipërfaqe 65 hektarë dhe afro 6 mijë banorë.

Drejtori i gërmimeve në Autoritetin e Antikiteteve Yitzhak Paz shprehet:

"Në këtë qytet kemi një vendbanim të planifikuar me një sistem rrugësh, rrugicash e sheshesh, si edhe instalimesh kullimi e objektesh depozitimi. Kemi edhe struktura publike, një ndër të cilat e kemi indentifikuar si një tempull ose një ndërtesë kulti. Gjithashtu, kemi fortifikimet që mbrojnë këtë vend, murin e qytetit afro 2 metra të gjerë, të ruajtur me kulla."

Ndër zbulimet është një tempull rituali i pazakonshëm. Kockat e djegura të kafshëve të zbuluara në këtë vend ofrojnë dëshmi se aty bëheshin flijime. Gjithashtu janë zbuluar edhe miliona copa qeramike, figurina kokash njerëzore, mjete stralli dhe enë guri.

Itai Elad po nga Autoriteti i Antikiteteve vëren:

"Kjo është një ndërtesë shumë e madhe që ne e identifikojmë si tempull. Duhet të kuptojmë se, kur flasim për Epokën e Bronzit të hershme, nuk kemi asnjë burim të shkruar, prandaj çdo gjë që dimë rreth asaj se si jetonin njerëzit në atë kohë dhe si i kryenin ritualet e tyre, vjen nga arkeologjia. Dhe kur flasim për tempujt, mund të themi që mund të numërojmë me gishtat e dorës tempujt e njohur nga kjo periudhë. Prandaj, ky tempull është kaq i veçantë."

Studiuesit thonë se ky zbulim ka ndryshuar në mënyrë dramatike njohjen e tyre mbi atë periudhë. Sipas tyre, banorët e këtij qyteti merreshin me bujqësi dhe bënin tregti me rajonet dhe mbretëritë e tjera.

Doktori i shkencave Yitzhak Paz thotë se ata duhet të studiojnë se çfarë e shkaktoi braktisjen e këtij vendbanimi:

"Ai është braktistur jo nga ndonjë katastrofë e ndodhur këtu. Mbase mund të ketë lidhje ose me një ndryshim klimatik të ndodhur këtu, që shkaktoi shfaqjen e shumë kënetave, të cilat e bënë jetën të padurueshme, ose me disa arsye të tjera, si shoqërore, ekonomike etj. Nuk e dimë saktësisht."

Qyteti u zbulua gjatë përgatitjeve për një projekt autostrade dhe u deshën dy vjet për të gërmuar vendin.

Gjatë gërmimit, arkeologët zbuluan edhe dëshmi të një vendbanimi më të hershëm 7000-vjeçar nën shtëpitë e qytetit. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore