Britania publikon "Raportin e gatishmërisë" në rast të një "Brexit"-i pa marrëveshje

2019-10-09 09:57:59 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria britanike ka publikuar një raport që përshkruan hollësisht kushtet që Britania do të përballojë në rast të një "Brexit"-i pa marrëveshje.

"Raporti i gatishmërisë në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje" nënvizon gjithashtu mbështetjen dhe udhëzimet e dhëna nga qeveria, duke përshirë masat urgjente për një "Brexit" pa marrëveshje dhe shërbimin e ri të këshillimit për të ndihmuar furnizuesit e produkteve mjekësore.

Ministri përgjegjës për planifikimin në rast të një "Brexit"-i pa marrëveshje Michael Gove thekson:

"Sigurisht që rreziqet mbesin dhe sfidat për disa biznese nuk mund të zbuten plotësisht, madje as edhe me çdo përgatitje të mundshme. Por ekonomia britanike është në një gjendje shumë më të mirë për t'i përballuar këto rreziqe dhe sfida falë përpjekjeve të këtyre sektorëve e kompanive (...) . Ndikimi i një 'Brexit'-i pa marrëveshje mbi Britaninë dhe BE-në do të varet nga vendimet që do të marrin BE-ja dhe shtetet e saj anëtare lidhur me të drejtat e qytetarëve, sigurinë e brendshme, mbrojtjen e të dhënave dhe natyrishe pozicionin jetik të Irlandës së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ne kemi marrë vendime nga të cilat do të përfitojnë shtetasit e Britanisë dhe qytetarët e BE-së. Shpresoj se edhe BE-ja do të tregojë bujarinë dhe fleksibilitetin që kemi treguar ne."

Gove shtoi se qeveria ka premtuar se nuk do të zhvillojë asnjë kontroll në kufirin midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës.

Me rast të një "Brexit"-i pa marrëveshje, Irlanda dhe BE-ja nuk kanë përcaktuar se si të menaxhojnë kufirin irlandez.

Siç njoftohet, parlamenti britanik ka miratuar një ligj, që e detyron qeverinë të kërkojë një shtyrje për "Brexit"-in nga BE-ja, nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 19 tetor. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore