Një polic hongkongas falënderon për mbështetjen nga pjesa kontinentale e Kinës

2019-09-15 09:23:21 CRI Komenti juaj Printoni

Lau Chak-kei është një pjesëtar i Njësisë Taktike të Policisë së Hong-Kongut. Ai ka marrë pjesë në operacione të shumta dhe ka luftuar dhunën dhe trazirat gjatë tre muajve të fundit.

Ai dhe kolegët e tij u rrethuan nga mbi 1000 rebelë gjatë një operacioni në Territoret e Reja në korrik, dhe disa radikalë u përpoqën të kapnin pistoletën e tij pasi ai u godit dhe ra përtokë. Por në fund ai arriti të nxjerrë armën, duke shpërndarë radikalët.

Sidoqoftë, disa media i shtrembëruan faktet në njoftimet e tyre, duke ngritur debate mes publikut.

"Pas këtij operacioni, disa media të huaja morën vetëm një pjesë të videos nga ai moment dhe thanë se ishte krejtësisht faji ynë. Por, pasi panë të gjithë videon e plotë, bashkatdhetarët në pjesën kontinentale pranuan faktin se ishte vetëm një reagim nga ne pasi u sulmuam. Ishte e nevojshme të zbatohej ligji," thotë Lau.

Lau dhe 9 kolegë të tij janë ftuar në paradën e madhe ushtarake që do të zhvillohet në Pekin më 1 tetor, kur Republika Popullore e Kinës feston 70-vjetorin e themelimit.

Lau thotë se ftesa tregon vlerësimin e vendit dhe njerëzve për kontributin e forcës policore të Hong-Kongut.

"Jam prekur nga 1.4 miliardë bashkatdhetarët që na mbështesin. Është njësoj si të endesh në shkretëtirë pa ujë dhe papritur dikush të jep një gotë me ujë. Është po aq e çmuar sa vesa. Dhe kjo është dhënë nga bashkatdhetarët e pjesës kontinentale për policët në Hong-Kong. Do të marr pjesë në këtë veprimtari në emër të forcës policore të Hong-Kongut. Unë dua t'i shpreh falënderimet e mia vendit për mbështetjen për forcën tonë policore," thotë Lau.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore