Kinë, masa për trajtimin më të mirë të personelit mjekësor

2019-08-20 16:45:14 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet kineze janë zotuar se do të marrin masa të reja për të përmirësuar më tej trajtimin dhe punën e personelit mjekësor në vend.

Njoftimi u bë të hënën gjatë Ditës së 2-të të Punonjësve Mjekësorë, që nderon ata që punojnë në sektorin shëndetësor.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit ka thënë se do të shpallë më shumë masa për të përmirësuar statusin e punonjësve mjekësorë në vend.

Zyrtari i lartë i këtij Komisioni Zhu Hongbiao thotë se do të ofrohen më shumë stimuj për punonjësit e shëndetësisë:

"Ne do të rrisim në mënyrë të qëndrueshme pagën e personelit mjekësor dhe do të reformojmë strukturat e tyre të pagave. Do të përqendrohemi më shumë në inkurajimin afatgjatë dhe do të sigurojmë një trajtim më të mirë për punonjësit mjekësorë të niveleve më të ulëta, që punonjësit mjekësorë të paguhen në mënyrë transparente e të denjë nëpërmjet njohurive, teknologjive dhe punës."

Statistikat tregojnë se 3.6 milionë praktikues të mjekësisë ishin të regjistruar në Komisionin Kombëtar të Shëndetit deri në fund të vitit të kaluar, 20 për qind e të cilëve me tituj të lartë.

Komisioni ka nderuar rreth dhjetë punonjës mjekësorë dhe një ekip mjekësh vullnetarë si "mjekë shembullorë" për përkushtimin e tyre ndaj shëndetit publik.

Zv.drejtorja e Zyrës së Administrimit Mjekësor të Komisionit Kombëtar të Shëndetit Guo Yanhong vlerësoi personelin mjekësor për rolin e tij të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit të njerëzve:

"Deri në fund të vitit të kaluar, jetëgjatësia mesatare e njerëzve në Kinë arriti në 77 vjet. Treguesit kryesorë shëndetësorë në Kinë e kanë tejkaluar standardin mesatar në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta."

Zhang Hua është një mjeke e moshuar në Spitalin Popullor të Qiannan-it në provincën Guizhou. Ajo e shënoi Ditën e Punëtorëve Mjekësorë duke ofruar kujdes mjekësor falas për banorët vendorë:

"Dita e Mjekut tregon vlerësimin e punës sonë nga njerëzit. Unë do të bëj më shumë përpjekje për t'u shërbyer pacientëve të mi në të ardhmen dhe për të përmirësuar aftësitë e mia profesionale, duke ndërtuar një mur të fortë mbrojtës për të sëmurët."

19 gushti u vendos si Dita e Punonjësve Mjekësorë në Kinë në vitin 2017, për të nxitur shoqërinë të tregojë respekt ndaj punonjësve mjekësorë dhe të kujdesit shëndetësor të vendit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore