Greqi: Festohet Hëna e Plotë e Gushtit

2019-08-16 14:06:00 CRI Komenti juaj Printoni

Greqia kremtoi të enjten festën e Hënës së Plotë të Gushtit, duke ofruar hyrje falas në vendet arkeologjike, muzetë dhe monumentet në mbarë vendin, nën kujdesin e Ministrisë greke të Kulturës dhe Sporteve.

Qytetarët dhe vizitorët e huaj mundën të shijojnë hënën më të ndritshme të vitit të shoqëruar me mbi 100 ngjarje kulturore, duke përfshirë koncerte, lexime poezish dhe shfaqje teatrore.

Dyzet e tetë vende arkeologjike dhe muze u hapën për publikun. Hëna e plotë e këtij viti ra më 15 gusht, duke përkuar gjithashtu me një nga festat fetare më të mëdha në vend.

Festimi i Hënës së Plotë të Gushtit në thesaret arkeologjike të Greqisë filloi në vitin 1999 dhe është bërë një traditë verore në të gjithë vendin.

Muzeu i Akropolit i ftoi banorët vendorë dhe vizitorët të merrnin pjesë në një festë muzike, ku interpretuan disa nga këngëtarët më të shquar grekë, ndërsa vizitorët mund të shëtisnin në mjediset e muzeut.

Muzeu Arkeologjik Kombëtar i Athinës gjithashtu priti disa "mysafirë" të veçantë këtë vit: katër gurë të vegjël hënorë që u sollën 50 vjet më parë në Tokë nga "Apollo 11", misioni i parë i zbritjes së astronautëve në Hënë në vitin 1969.

Mrekulli
Lajmet Kryesore