OKB-ja dënon sulmet mbi objektet dhe personelin mjekësor në Libi

2019-08-16 11:22:58 CRI Komenti juaj Printoni

I Dërguari i Posaçëm i OKB-së në Libi, Ghassan Salame dënoi të enjten sulmet ndaj objekteve dhe personelit mjekësor në kryeqytetin e Libisë Tripoli, ku vazhdon një konflikt i përgjakshëm midis qeverisë së mbështetur nga OKB-ja dhe ushtrisë me qendër në lindje.

"Që nga fillimi i mësymjes në Tripoli në fillim të prillit, më shumë se 37 sulme janë regjistruar ndaj personelit mjekësor dhe objekteve shëndetësore, duke përfshirë spitale, spitale fushore, si edhe ambulanca civile e ushtarake," tha në një deklaratë Misioni Mbështetës i OKB-së në Libi (UNSMIL).

"Salame e dënon në mënyrën më të ashpër këtë model të qartë të sulmeve të pamëshirshme kundër punonjësve e objekteve shëndetësore", ndërsa vënia në shënjestër e objekteve dhe personelit mjekësor vlerësohet si një "krim lufte", shton deklarata.

Që nga fillimi i prillit, qeveria libiane është përfshirë në një konflikt të armatosur me ushtrinë, e cila po përpiqet të marrë në kontroll kryeqytetin Tripoli dhe të përmbysë qeverinë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, luftimet deri më tani kanë shkaktuar më shumë se 1000 të vrarë dhe mbi 5700 të plagosur, dhe kanë detyruar më shumë se 120 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Mrekulli
Lajmet Kryesore