Qeveria qendrore kineze dënon me forcë sulmet me bomba "Molotov" mbi policinë në Hong-Kong

2019-08-13 09:46:20 CRI Komenti juaj Printoni

Zyra e Çështjeve të Hong-Kongut dhe Makaos e Këshillit të Shtetit të Kinës ka dënuar me forcë veprimet e dhunshme mbi policinë në Hong-Kong.

Një grup i vogël protestuesish të dhunshëm hodhën bomba "Molotov" në stacionet e policisë në pika të ndryshme, duke përfshirë Cheung Sha Wan dhe Tsim Sha Tsui, duke u shkaktuar plagë djegiesh në shkallë të ndryshme disa policëve.

Zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Hong-Kongut dhe Makaos të Këshillit të Shtetit Yang Guang thekson:

"Për ditë të tëra, protestuesit radikalë në Hong-Kong kanë përdorur shpesh mjete jashtëzakonisht të rrezikshme për të sulmuar punonjësit e policisë. Veprat e tyre përbëjnë krime të rënda të dhunshme dhe shfaqin prirjen e kthimit në terrorizëm. Kjo është një shkelje e hapur e sundimit të ligjit dhe rendit shoqëror në Hong-Kong, një kërcënim i rëndë për sigurinë e banorëve të Hong Kong-ut dhe një sfidë e fortë për qëndrueshmërinë dhe përparimin e Hong Kong-ut. Ne duhet t'i trajtojmë krime të tilla të dhunshme me një qëndrim të ashpër dhe pa mëshirë. Ne mbështesim fuqimisht policinë dhe autoritetet e drejtësisë së Hong-Kongut në veprimet e tyre të vendosura të zbatimit të ligjit dhe të procedurave gjyqësore, të cilat synojnë t'i nxjerrin kriminelët para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur".

Yang Guang e vlerësoi policinë si forca kryesore që mbron sigurinë publike dhe sundimin e ligjit në Hong-Kong. Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që u intereson e ardhmja e Hong-Kongut, të ngrenë zërin dhe t'u thonë "jo" të gjitha veprimeve kriminale dhe të gjithë personave të dhunshëm.

Zëdhënësi gjithashtu shprehu ngushëllim për policët e dëmtuar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore