Leku forcon pozitat në raport me euron dhe dollarin

2019-08-05 10:13:32 CRI Komenti juaj Printoni

Në tregun e këmbimit valutor vendas, në fundjavë, që përkon me fillimin e muajit gusht, leku forcoi pozitat në raport me euron dhe dollarin amerikan.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të shtunën me 121.31 lekë ose 0.18 lekë më pak se një ditë më parë, ndërsa monedha e gjelbër amerikane u zhvlerësua me 0.65 lekë, duke u këmbyer në vlerën 109.25 lekë.

Aktorët e tregut shprehen se piku i sezonit turistik me fluksin në rritje të turistëve dhe vizitorëve të ndryshëm në vendin tonë, ka shtuar valutën në treg duke forcuar pozitat e lekut.

Por sipas tyre edhe luhatja e valutave kryesore, në tregjet ndërkombëtare është një arsye më shumë, që ndikon në tregun valutor vendas.

Gjithsesi, Banka Qendrore shprehet se luhatje në tregun valutor janë brenda parashikimeve ndërsa institucioni i mbikqyrjes citon se "vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë, pa cenuar regjimin e një kursi të këmbimit të lirë". (ATSh)

Mrekulli
Lajmet Kryesore