BE-ja gjobit me 271 mln USD gjigantin amerikan të çipave

2019-07-19 09:43:22 CRI Komenti juaj Printoni

BE-ja ka gjobitur gjigantin amerikan të çipave "Qualcomm" me një shumë prej 271 milionë dollarësh amerikanë (240 milionë euro).

Eurokomisionerja për Konkurrencën Margrethe Vestager tha se "Qualcomm" po abuzonte me pozitën e tij dominuese në treg për çipat 3G.

"Sot, Komisioni ka vendosur të gjobisë Qualcomm-in 242 milionë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës ose të Ligjit Anti-monopol të BE-së. Po flasim për çipat që përputhen me standardet 3G dhe përdoren kryesisht në pajisjet e lëvizshme. Nga hetimet tona gjetëm se Qualcomm-i bllokoi konkurrencën duke fiksuar çmimet për të mbrojtur epërsinë e vet."

Ajo shtoi se kompania ka shitur çipa me çmim nën koston e prodhimit për ta detyruar kompaninë "Icera" të tërhiqej nga tregu një dekadë më parë.

Icera me seli në Britani konsiderohej si një firmë konkurrente që kërcënonte dominimin e "Qualcomm"-it.

Gjoba është 1.3% e të ardhurave të Qualcomm-it të vitit 2018.

Vitin e kaluar, BE-ja gjobiti Qualcomm-in mbi 1.2 miliardë dollarë amerikanë për praktika të pandershme licencimi me Apple.

Qualcomm njoftoi se do ta apelojë gjobën në Gjykatën e BE-së dhe i hodhi poshtë akuzat.

Kompania gjithashtu ka qenë në qendër të një çështje antitrust në ShBA, sipas njoftimeve mediatike këtë javë që thonë se qeveria i kërkoi gjykatës që të ndalojë zbatimin e vendimit anti-monopol.

Me gjoba të ngjashme disa miliardëshe janë gjobitur edhe "Google" e "Microsoft" për shkelje të ligjit të konkurrencës. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore