Kina zotohet për mbrojtje më të mirë të të drejtave të pronësisë intelektuale

2019-07-18 17:12:16 CRI Komenti juaj Printoni

Në një mbledhje rutinë të kabinetit të qeverisë kineze u vendos për forcimin e luftës kundër shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale për mbrojtjen e interesave ligjitime të të gjithë operatorëve të tregut.

Të dhënat tregojnë se në gjysmën e parë të këtij viti, Kina ka dënuar 6529 raste të shkeljes së të drejtave të autorit dhe 11.5 mijë raste të markave pirate, duke forcuar mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Administrata e Pronësisë Intelektuale e Kinës njoftoi se në gjashtëmujorin e sivjetshëm, shpikësit e huaj kanë dorëzuar 78 mijë aplikime për të drejtën e autorit, ndërsa, dizenjuesit e huaj kanë dorëzuar 127 mijë aplikime për regjistrimin e markave origjinale, duke u rritur përkatësisht 8.6% dhe 5.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon besimin e komunitetit ndërkombëtar për punën e qeverisë kineze në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Në mbledhjen e Këshillit të Shtetit, u theksua mbrojtja e barabartë e interesave ligjore të të gjithë operatorëve në tregun kinez. Gjithashtu, qeveria kineze u zotua se do të shpejtojë rishikimin e ligjeve përkatëse për të gjobitur shkelësit e ligjit.

Lidhur me këtë, profesori Cui Fan nga Universiteti i Biznesit dhe i Ekonomisë Ndërkombëtare vuri në dukje se kjo është në përputhje me rregullat e OBT-së.

"Trajtimi i barabartë do të thotë se do të mbrojmë të drejtat e ndërmarrjeve kineze si ato të investorëve të huaj që operojnë në Kinë, do të thotë se do të mbrojmë edhe të drejtat e kompanive të huaja për mallrat që eksportojnë në Kinë. Një ndër parimet më të rëndësishme të OBT-së mbi mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale është trajtimi kombëtar për të gjithë pjesëmarrësit e tregut. Prandaj, standardet tona ligjore mbrojtëse janë në përputhje me rregullat përkatëse të OBT-së", shtoi z. Cui.

Në vendimin qeveritar të publikuar në prillin e sivjetshëm për rishikimin e ligjit të markave, vëllimi i gjobave për shkelësit është pesëfishuar, duke arritur një nivel të lartë ndërkombëtar. Ekspertët janë të mendimit se rishikimi i ligjeve përkatëse do të trembë ligjshkelësit.(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore