Kina ngre nivelin e lehtësisë së zhdoganimit

2019-07-04 15:00:22 CRI Komenti juaj Printoni

 

Zv.drejtori i Administratës së Përgjithshme Doganore të Kinës Hu Wei u shpreh të premten në Pekin se sivjet ka mundësi të realizohet një vit para afatit objektivi i shqyrtimit të dokumenteve të import-eksportit në internet. Siç mësohet, tani numri i dokumenteve që duhet të shqyrtohen gjatë procesit të import-eksportit është pakësuar nga 86 në 46. Përveç katër llojeve të veçanta, të gjitha dokumentet e tjera mund të kontrollohen dhe të verifikohen automatikisht në internet.

Kohët e fundit, organet e ndryshme të qeverisë kineze publikuan së bashku "Njoftimin mbi ngritjen e nivelit të lehtësimit të zhdoganimit", duke thjeshtësuar më tej procedurat e zhdoganimit dhe duke ngritur efektivitetin e zhdoganimit. Në një takim me medien të mërkurën nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës, Hu Wei bëri të ditur se para fundit të këtij viti, Administrata e Përgjithshme Doganore të Kinës, së bashku me organet përkatëse dhe pushtetin vendor, do të hapin një "kanal të gjelbër".

Ai gjithashtu tha se masat për të përmirësuar mjedisin e biznesit në porte gjithashtu kanë pasur një ndikim pozitiv në tregtinë e jashtme të këtij viti:

"Në përgjithësi, në pesë muajt e parë të këtij viti, tregtia e jashtme vazhdoi të ruajë prirjen e qëndrueshme të rritjes, struktura tregtare vijoi të optimizohet, diversifikimi i tregut u zhvillua normalisht dhe import-eksporti ishte i qëndrueshëm dhe u përmirësua. Statistikat tregojnë se vëllimi i importit-eksportit në portet e disa provincave dhe qyteteve është ende relativisht i madh. Veçanërisht në Tianjin, vëllimi i importit në portet lumore u rrit me 46.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar".

"Njoftimi" synon gjithashtu thellimin e krijimit të "sportelit të vetëm" në tregtinë ndërkombëtare dhe përshpejtimin e lidhjeve e të bashkëpunimit me aviacionin civil, portet dhe hekurudhat etj. Dang Yingjie, zëvendësdrejtore e Zyrës Kombëtare për Menaxhimin e Porteve të Kinës, tha:

"Së pari, do të përshpejtojmë bashkëpunimin me aviacionin civil, portet, hekurudhat etj., për t'u ofruar aktorëve të tregut shërbimet e informimit për tërë logjistikën doganore 'me një ndalesë'; së dyti, do të rritim forcën e funksionimit të biznesit të madh, për të siguruar që norma e funksionimit të bizneseve kryesore të arrijë në 100 % para fundit të këtij viti. Përveç kësaj, ne do të përqendrohemi te 'Një brez, një rrugë' dhe ndërtimi i rrugëve të reja tokësore e detare të tregtisë ndërkombëtare, për të promovuar shkëmbimet ndërkombëtare dhe shkëmbimin e informacionit lidhur me 'sportelin e vetëm' me botën e jashtme."

Mrekulli
Lajmet Kryesore