Kinë, shkurtohet më tej lista negative

2019-07-01 16:26:40 CRI Komenti juaj Printoni

Kina publikoi zyrtarisht Masat e Posaçme Menaxhuese për Investimet e Huaja dhe Masat e Posaçme Menaxhuese për Investimet e Huaja në Zonat e Tregtisë së Lirë për vitin 2019, të cilat lejojnë investimet e huaja në më shumë sektorë të tregut kinez.

Masat u shpallën brenda 48 orëve nga deklarata e presidentit Xi Jinping në samitin e G20-s që u mbajt në Osakë të Japonisë për hapjen e mëtejshme të Kinës në 5 drejtime.

Dy listat negative për vitin 2019 kanë 3 veçori: së pari, lista negative është shkurtuar nga 48 në 40, ndërsa për zonat e tregtisë së lirë është shkurtuar nga 45 deri në 37. Së dyti, sektorët e hapjes mbulojnë më shumë fusha, si bujqësi, minierë, prodhim, transport, telekomunikacion, infrastrukturë dhe kulturë. Së treti, zonat e tregtisë së lirë vazhdojnë të luajnë rol pilot dhe eksperimental në hapje, si heqja e kufizimeve ndaj investimeve të huaja në gjuetinë e kafshëve ujore dhe botimet.

Me qëndrim të vendosur, Kina i ka dhënë ndërmarrjeve të huaja siguri në hapjen e tregut, duke dhënë kontribut të ri për nxitjen e bashkëpunimit në zinxhirin industrial global.

Prej fillimit të këtij viti, mosmarrëveshjet tregtare kanë goditur shpesh zinxhirët industrial globalë, të vlerës dhe të furnizimit. Si vendi i parë për tregtinë e mallrave dhe i dyti për tregtinë e shërbimeve, cila është rruga që Kina duhet të ndjekë për stabilizimin e gjendjes së paqartë dhe të paqëndrueshme?

Dhoma tregtare e Kinës në Japoni publikoi librin e bardhë "Ekonomia kineze dhe Ndërmarrjet Japoneze 2019", ku vihet në dukje se ndërmarrjet japoneze në Kinë po presin hapjen e mëtejshme të tregut kinez.

Përveç ndërmarrjeve japoneze, edhe ato të vendeve të tjera kanë konsideruar tregun kinez si një shtyllë të rëndësishme për strategjitë e tyre globale, duke shtuar investimet në Kinë. Krahas Tesla-s, edhe British Telekom, UBS, Aliance dhe Standard & Poors kanë zgjeruar bizneset e tyre në Kinë.

Shkurtimi i listave negative jo vetëm ka lëshuar sinjalin që Kina po hap më tej derën me veprime konkrete, por gjithashtu ka ofruar garancinë e politikave për hyrjen në Kinë, përfitimin nga zhvillimi i Kinës dhe për përfitime të përbashkëta.

Faktet kanë vërtetuar sërish që pavarësisht ndryshimit të gjendjes botërore, ekonomia kineze është gjithmonë si një det i gjerë, i qëndrueshëm dhe transparent, i cili përqafon çdo partner nën parimin e konsultimit, ndërtimit dhe ndarjes së përbashkët. Në rrugën e globalizimit, Kina luan një rol praktik mbështetës dhe të besueshëm. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore