Kina kundërshton proteksionizmin me zgjerimin e hapjes

2019-06-27 18:39:54 CRI Komenti juaj Printoni

"'Apple' ul parashikimet për rezultatet e veta"; "Bursat amerikane janë nën presion", "Fondi Monetar Ndërkombëtar ul parashikimin e rritjes ekonomike globale"; "BE-ja ul parashikimin e rritjes ekonomike dhe të inflacionit"; "Banka e Japonisë uli parashikimin e rritjes së PBB-së"...

Gjatë vitit të kaluar, lajmet financiare ndërkombëtare ishin plot me tituj të tillë. Ekonomia botërore, e cila sapo ka kaluar krizën financiare ndërkombëtare që ka zgjatur një dekadë, po përballet me një rrezik të ri dhe të madh ndërsa po përtërihet ngadalë: proteksionizmi tregtar do ta fusë ekonominë botërore përsëri në recesion. E gjithë bota pret që samiti i ardhshëm i G20-s në Osakë të Japonisë të mbajë një qëndrim të fortë mbi proteksionizmin tregtar dhe të çojë ekonominë botërore përsëri në rrugën e rritjes.

Që në vitin 2013, lideri kinez parashtroi idenë e "ndërtimit të një ekonomie botërore të hapur". Kjo është në përputhje me prirjen e kohës e me aspiratat e popujve të të gjitha vendeve, duke ofruar zgjidhje praktike për përgjigjen globale ndaj sfidave të tanishme dhe të ardhshme. Kina e ka bërë prej shumë vitesh një gjë të tillë.

Në mars të këtij viti, organi më i lartë ligjvënës në Kinë miratoi "Ligjin mbi investimet e huaja", i cili shënoi kalimin e Kinës nga hapja e përgjithshme e tregut në hapjen institucionale, duke krijuar një model të ri të zgjerimit të hapjes.

Në vijim kompanitë shumëkombëshe i kanë rritur investimet e tyre në Kinë. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Tregtisë e Kinës, në pesë muajt e parë të këtij viti, përdorimi real i investimeve të huaja nga Kina arriti shifrën 369.06 miliardë juanë, me një rritje vjetore 6.8 %. Kjo normë rritjeje tregon besimin e kompanive të huaja ndaj tregut kinez dhe miratimin prej tyre të forcimit të politikës së hapjes të Kinës.

Zgjerimi i mëtejshëm i hapjes së Kinës nuk është mirëpritur vetëm nga kompanitë shumëkombëshe, por edhe nga rajonet e pazhvilluara. Sipas Hannah Wanjie Ryder, drejtore ekzekutive e "Development Reimagined", një firmë ndërkombëtare e këshillimeve për zhvillimin, në vitin 2000 importet e Kinës nga vendet joafrikane ishin 44 herë më të larta se importet nga Afrika, kurse tani shifra është zvogëluar në 22 herë. Ndërsa importet e ShBA-së nga vendet joafrikane në vitin 2000 ishin 43 herë më të larta se nga vendet afrikane dhe tani janë rritur deri në 70 herë. Kjo tregon se tregu i ShBA-së po mbyllet për Afrikën. Ajo shprehu shpresën se ekonomitë e zhvilluara do të ndjekin shembullin e Kinës, do të heqin barrierat tregtare dhe do të ndihmojnë rajonet afrikane të pazhvilluara të integrohen në prirjen e zhvillimit ekonomik botëror.

Në samitet e kaluara të G20-s, me praktikën e vet të zgjerimit të hapjes, Kina ka kontribuar me mençurinë e saj për të ruajtur multilateralizmin dhe për të përmirësuar qeverisjen globale. Samiti i Osakës nuk do të përbëjë një përjashtim. Kjo është përgjegjësia e Kinës ndaj botës si një vend i madh i përgjegjshëm dhe gjithashtu shpresa e botës për Kinën.

Mrekulli
Lajmet Kryesore