Dialogu i barabartë është e vetmja mënyrë e zgjidhjes së problemeve

2019-06-21 11:39:57 CRI Komenti juaj Printoni

Liderët e Kinës e të ShBA-së zhvilluan të martën një bisedë telefonike, ku vendosën që të takohen përsëri gjatë Samitit të G20-s në Osaka dhe ranë dakord që ekipet ekonomiko-tregtare të të dy vendeve të ruajnë komunikimin. Këto deklarata zbutën përkohësisht shqetësimet e opinionit publik botëror dhe sollën rritjen e tregut global të kapitaleve.

Duke u nisur nga mbrojtja e rritjes ekonomike globale dhe e interesave të popullit, Kina i vë gjithmonë bisedimet në vend të parë dhe është e gatshme të komunikojë me palën amerikane për të gjetur mënyrën e zgjidhjes së problemeve.

Por, pas bisedës ndërmjet liderëve të të dy vendeve, qëndrimi i Përfaqësuesit Tregtar i ShBA-së Robert Lighthizer në Kongresin amerikan është i habitshëm. Ai u shpreh se problemet nuk mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut, duke shtuar se nuk kishte dëgjuar një mënyrë më të mirë se tarifat. Lighthizer-i tha gjithashtu se duhej gjetur një rrugëzgjidhje që përmirësonte marrëdhëniet dypalëshe dhe ruante epërsinë konkurruese të ShBA-së.

Qëndrimi i Lighthizer-it tregon nga një anë dëshirën për përmirësimin e marrëdhënieve kino-amerikane, por njëkohësisht vazhdon të lëshojë sinjalin e ushtrimit të presionit me tarifa. Është e qartë se ky nuk është një qëndrim që çon në zgjidhjen e problemit.

Faktet gjatë më shumë se një viti të kaluar kanë vërtetuar se mjetet e ushtrimit të presionit të ShBA-së kundër Kinës janë të pavlefshme dhe në të ardhmen nuk do të kenë asnjë arritje. "Respekt, besim, barazi e leverdi e ndërsjellë" janë fjalët kyçe në bisedime. Tani pala amerikane duhet të jetë e qartë për çështjet me interes thelbësor për palën kineze dhe duhet të kuptojë se nuk mund të sfidohet "vija e kuqe" e palës kineze. Vetëm nëpërmjet zhvillimit të dialogut të barabartë dhe marrjes parasysh të interesave të arsyeshme të njëri-tjetrit, do të zgjidhen problemet midis Kinës e ShBA-së. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore