Piloti hero: Aksidentet e aeroplanëve "737" nuk duhej të kishin ndodhur

2019-06-20 09:50:30 CRI Komenti juaj Printoni

Një ish-pilot dhe mbrojtës i çështjeve të sigurisë në fluturime thotë se dy aksidentet e fundit me aeroplanët "Boeing 737 Max" "nuk duhej të kishin ndodhur kurrë".

Chelsey "Sully" Sullenberger uli në mënyrë të sigurt një avion të dëmtuar në lumin Hudson dhjetë vjet më parë.

"Këto rrëzime janë dëshmi se sistemi ynë i projektimit dhe i certifikimit të avionëve ka dështuar. Këto aksidente nuk duhet të kishin ndodhur kurrë. Nga 52 vjet përvojë fluturimi dhe puna në disa dekada për çështjet e sigurisë, e di që ne duhet të marrim parasysh të gjithë faktorët njerëzorë të këtyre aksidenteve dhe se si projektimi i sistemit përcakton se sa dhe çfarë lloj gabimesh do të bëhen, dhe sa të mëdha do të jenë pasojat," shprehet piloti hero.

Sullenberger-i thotë se e kupton vështirësinë që patën pilotët për të rifituar kontrollin kur softueri nuk funksionoi.

Ai shtoi gjithashtu se të gjithë pilotët e "737 Max" duhet të marrin trajnime të hollësishme në pajisjen e imitimit të fluturimeve:

"Ne të gjithë duam që pilotët t'i përjetojnë këto situata sfiduese për herë të parë në një pajisje imituese dhe jo në fluturim me udhëtarët dhe ekuipazhin në bord. Pilotët duhet ta përjetojnë atë fizikisht drejtpërdrejt. Nëse nuk mësojmë nga këto rrëzime, nëse ato që zbulojmë i skedojmë në një raft të pluhurosur, vetëm sa do të kemi më shumë nga këto tragjedi".

Sullenberger kritikoi një program të Administratës Federale të Aviacionit të ShBA-së që ua lë punonjësve të industrisë së aviacionit kryejen e disa provave dhe inspektimeve të sigurisë.

Inxhinierët e "Boeing"-ut i kanë përfunduar ndryshimet në softuer dhe pritet që t'ua demonstrojnë ato zyrtarëve të sigurisë të qeverisë në fluturimet provë. (vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore