Kina nxit kompanitë e huaja të hyjnë në tregun e raportimit të kreditit

2019-06-14 16:55:57 CRI Komenti juaj Printoni

Kina do të inkurajojë kompanitë e huaja të hyjnë në tregun kinez të raportimit të kreditit dhe të klasifikimit të kredive, bëri të ditur të premten në Pekin një përgjegjës i Bankës Popullore të Kinës, banka qendrore kineze.

Tani do të publikohen me radhë projekti i nivelit të lartë për hapjen e sektorit financiar të Kinës dhe politikat përkatëse. Zv.guvernatori i bankës qendrore kineze Zhu Hexing tha të premten në një konferencë shtypi të organizuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës se zgjerimi i hapjes në degën e raportimit të kreditit është një pjesë përbërëse shumë e rëndësishme në konkretizimin e strategjisë së hapjes së sektorit financiar.

Njoftohet se tre agjencitë kryesore amerikane të klasifikimit të kredive - S&P, "Fitch" dhe "Moody's" - kanë regjistruar degët e tyre në Pekin. Në janar të këtij viti, S&P u bë e para agjenci e huaj e klasifikimit të kredive që mori miratimin për zhvillimin e shërbimeve në Kinë.

Kina ka krijuar sistemin e raportimit të kreditit në përmasën më të madhe në botë, ku përmblidhen të dhënat e 990 milionë personave fizikë dhe afro 26 milionë ndërmarrjeve e organizatave. Sipas bankave komerciale kineze, të dhënat e raportimit të kreditit janë përfshirë në procedurën e tyre për kontrollimin e rreziqeve dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm në parandalimin e rreziqeve financiare, mbrojtjen e qëndrueshmërisë financiare dhe nxitjen e zhvillimit të sektorit financiar. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore