Ministria e Tregtisë: Investimet e huaja në Kinë, rritje 6.8 % në pesëmujorin e parë

2019-06-13 20:41:16 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas të dhënave statistikore të publikuara të enjten nga Ministria e Tregtisë e Kinës, nga janari deri në maj të këtij viti, në Kinë u hapën 16460 ndërmarrje të reja me investime të huaja dhe vlera e përdorimit të investimeve të huaja i kaloi 369 miliardë juanët, duke u shtuar 6.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Gao Feng tha se manifaktura dhe sektori i shërbimeve me teknologji të lartë kanë pasur rritje relativisht të madhe:

"Në sektorin e manifakturës me teknologji të lartë, përdorimi i investimeve të huaja u rrit 23.2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja është e dukshme veçanërisht në prodhimin e pajisjeve elektronike dhe të telekomunikacionit, të produkteve farmaceutike dhe të pajisjeve mjekësore. Ndërkohë, sektori i shërbimeve me teknologji të lartë përdori 63.31 miliardë juanë investime të huaja, me një shtim 68.9 %."

Gao Feng tha se nga këndvështrimi i investimeve, Kina është ende vendi më tërheqës në mbarë globin, me infrastrukturën dhe sistemin industrial relativisht të përsosur, me mjedisin e përmirësuar të biznesit dhe me tregun e përshkallëzuar të konsumit.

"Në vitin 2018, sektori kinez i manifakturës përdori 41.2 miliardë dollarë investime të huaja, me një rritje prej 22.9%. Kjo mishëron plotësisht besimin e vendosur të investitorëve të huaj te ekonomia dhe tregu kinez."

Lidhur me shpalljen kohët e fundit nga Kina të krijimit të sistemit të "Listës së subjekteve të pabesueshme", zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës tha se lista do të publikohet së shpejti. Ai theksoi:

"Çdo ndërmarrje e huaj, nëse respekton ligjet dhe rregulloret kineze, rregullat e tregut dhe frymën e kontratës, s'ka përse të jetë e shqetësuar. Kina do të përmirësojë më tej mjedisin e biznesit, do të garantojë interesat dhe të drejtat e ligjshme të kompanive të ndryshme dhe do të mbrojë rendin e tregut në bazë të frymës së kontratës." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore