Kundërmasa e Kinës, sistemi i "listës së subjekteve të pabesueshme"

2019-05-31 20:37:41 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Tregtisë e Kinës deklaroi të premten se Kina do të krijojë sistemin e "listës së subjekteve të pabesueshme", ku do të futen kompanitë, organizatat ose individët e huaj që nuk zbatojnë ligjet dhe rregullat e biznesit, shkelin frymën kontraktuale, vendosin ndalime dhe ndalojnë furnizimin e produkteve për qëllime jo biznesi ndaj ndërmarrjeve kineze. Masat konkrete do të publikohen në të ardhmen e afërt.

Kjo është një kundërmasë e detyruar e palës kineze ndaj sanksioneve të ShBA-së mbi shumë ndërmarrje kineze në mungesë të provave. Për qarqet e jashtme duhet të jenë të kuptueshme këto masa të palës kineze për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e veta të ligjshme.

Si palë e detyruar për të ndërmarrë kundërmasa në luftën tregtare, Kina ngul këmbë gjithmonë në parimin e vet: "Nuk e dëshirojmë luftën tregtare, por nuk i frikësohemi asaj dhe do të luftojmë kur të jetë e nevojshme ". Për më shumë se një vit, mbi bazën e parimeve të respektit dhe interesit të ndërsjellë, pala kineze zhvilloi 11 raunde negociatash ekonomiko-tregtare të nivelit të lartë me palën amerikane, duke arritur përparim. Por pala amerikane i shkeli premtimet e saj, shtoi shumë herë tarifat, ndaloi furnizimin e produkteve ndaj ndërmarrjeve kineze si "Huawei" etj., duke përdorur fuqinë shtetërore, me qëllim të frenojë zhvillimin e Kinës.

Qëndrimi i palës kineze ndaj asaj amerikane është: "Nëse dëshironi negociata, le të bëjmë negociata me seriozitet; nëse dëshironi luftë tregtare, le të bëjmë luftë tregtare me seriozitet." Për shkak se pala amerikane nuk ka sinqeritet dhe ushtron presion të madh, pala kineze duhet ta përballojë këtë luftë tregtare.

Ish-presidenti amerikan Xhimi Karter tha se ShBA-ja është "vendi që e dashuron më shumë luftën në botë" dhe se Kina nuk ka humbur asnjë qindarkë në luftë, po i ka investuar burimet e saj në projekte si hekurudha me shpejtësi të lartë etj. Në fakt, Kina është një vend që e dashuron paqen, e frenon veten me racionalizëm dhe i kushton vëmendje zhvillimit. Kina e kupton thellësisht se asnjë palë nuk fiton në luftën tregtare dhe çdo sanksion e kundërmasë dëmton jo vetëm të tjerët, por edhe veten. Por përballë sulmeve të përsëritura të palës amerikane, Kina duhet të marrë kundërmasat e nevojshme, për të mbrojtur interesat e popullit të vet e të popullit amerikan, si edhe të popujve të mbarë botës, duke mbrojtur edhe sistemin e tregtisë shumëpalëshe dhe rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat.

Pala kineze nuk e dëshiron luftën tregtare, por ka si qëllim t'i tregojë palës amerikane se bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta është prirja e zhvillimit botëror. Pala kineze vendosi që negociatat të jenë metoda e parë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare. Por bashkëpunimi duhet të zhvillohet me parime e negociatat duhet të bëhen me sinqeritet. Pala amerikane nuk duhet të mbivlerësojë aftësinë e vet për kontrollin e situatës në botë dhe mos të nënvlerësojë aftësinë e palës kineze për mbrojtjen e të drejtave të veta të zhvillimit. Pavarësisht çfarë masash do të marrë pala amerikane, Kina do t'i përgjigjet me këto fjalë: "Nëse doni bisedime, dyert janë të hapura; nëse doni luftë tregtare, do të luftojmë deri në fund."

Mrekulli
Lajmet Kryesore