"Huawei" i kundërpërgjigjet goditjes së palës amerikane me përgatitje strategjike

2019-05-19 10:53:09 CRI Komenti juaj Printoni

Më 16 maj, pa asnjë provë konkrete, Departamenti amerikan i Tregtisë deklaroi përfshirjen e "Huawei"-t dhe 70 ndërmarrjeve të tjera që bëjnë biznes me të, në listën e kufizimit të eksportit, duke ndaluar plotësisht gjigantin kinez të telekomunikacionit të blejë teknologji dhe pjesë këmbimi nga ShBA-ja. Ky veprim i palës amerikane synon bllokimin e rrugëve me rëndësi jetike të "Huawei"-t, për të frenuar zhvillimin e teknologjisë së lartë të Kinës dhe për të mbrojtur statusin e ShBA-së si udhëheqëse globale në këtë drejtim.

Por, për befasinë e Uashingtonit, "Huawei" nisi menjëherë projektet rezervë që ka përgatitur prej më shumë se dhjetë vjetësh, duke garantuar furnizimin e qëndrueshëm të shumicës së produkteve të saj. Para trysnisë ekstreme të ShBA-së, "Huawei", i mbështetur mbi strategjinë largpamëse dhe frymën e luftimit, iu kundërpërgjigj goditjes së fortë të rivalit të fuqishëm amerikan.

Si ofruesi më i madh i pajisjeve të telekomunikacionit në botë, "Huawei", pas globalizimit mbi 20-vjeçar, e ka zgjeruar tregun në më shumë se 170 vende, duke ofruar shërbime për mbi 1/3 të popullsisë së përgjithshme globale. Mirëpo, biznesi i tij në ShBA ka ndjekur një rrugë plot zigzage. Nga pengimi i shumë projekteve të blerjes deri në hetimet mbi "kërcënimin ndaj sigurisë kombëtare", "Huawei" është përjashtuar gjithmonë nga kandidatët për furnizimin e pajisjeve për operatorët kryesorë të telekomunikacionit në ShBA.

Megjithatë, pala amerikane prapë është shumë e shqetësuar, sepse tani ky gjigant kinez zotëron më shumë patenta të të drejtave të autorit në teknologjinë 5G. Ndërsa ShBA-ja ka deklaruar më parë se, si udhëheqëse globale teknologjike, ajo nuk dëshiron të shohë asnjë sfidues në këtë garë që duhet ta fitojë. Prandaj, megjithëse për publikun qeveria amerikane ka thënë se do ta fitojë garën nëpërmjet konkurrimit e jo bllokimit, në realitet ajo e përdor "sigurinë kombëtare" si mjet për proteksionizëm, duke e sulmuar "Huawei"-n nëpërmjet metodave si "rrëmbimi politik", "mbyllja e dyerve të eksportit", lobimi ndër aleatët etj.

Por, veprime të tilla nuk mund të çojnë në një ShBA më të sigurt e më të fuqishme. Kompanitë amerikane që kanë bashkëpunim me "Huawei"-n kanë pësuar gjithashtu goditje të rëndë, duke ndikuar në dhjetëra mijë vende pune. Pasi Departamenti i Tregtisë shpalli urdhrin e ndalimit të eksportit, çmimet e aksioneve të "Qualcomm"-it, "Xilinx"-it dhe partnerëve të tjerë kryesorë amerikanë të "Huawei"-t patën ulje të ndjeshme. Nga ana tjetër, presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel u shprehën se nuk do të ndjekin veprimin e palës amerikane.

Lajmi i mirë është se dhjetë vjetë para "kapjes për fyti" nga ShBA-ja, "Huawei" e kishte parashikuar këtë, duke bërë përgatitje të plota dhe të shumta për një kohë të gjatë. Nisja e projekteve rezervë pasqyron largpamësinë e saj dhe ka inkurajuar Kinën të përqendrojë më shumë forca në novacion dhe në luftën për kapërcimin e vështirësive.(Zhang Yan) 

Mrekulli
Lajmet Kryesore