Kryediplomati kinez zhvillon bisedë telefonike me homologun amerikan

2019-05-19 10:50:02 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e vet amerikan Mike Pompeo.

Kryediplomati kinez u shpreh se kohët e fundit pala amerikane ka ndërmarrë veprime të ndryshme në dëm të interesave të Kinës, duke përfshirë goditjen e funksionimit normal të ndërmarrjeve kineze. Për këtë, Kina e nxit ShBA-në të mos shkojë tepër larg, por të kthehet sa më parë në rrugën e drejtë, për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Sipas tij, historia dhe e tashmja tregojnë se, si dy fuqi botërore, Kina e ShBA-ja mund të përfitojnë nga bashkëpunimi e të dëmtohen nga konflikti, dhe bashkëpunimi është e vetmja zgjedhje e drejtë.

Ministri Wang vuri në dukje se pala kineze propozon dhe është e gatshme gjithmonë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekonomiko-tregtare nëpërmjet negociatave. "Por bisedimet duhet të jenë të barabarta. Në çdo negociatë, Kina duhet të mbrojë interesat e veta të drejta kombëtare, t'u përgjigjet kërkesave të popullit dhe të mbrojë normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare", theksoi ai.

Për sa u përket fjalëve dhe veprimeve që pala amerikane bëri ditët e fundit mbi çështjen e Tajvanit, kryediplomati kinez e nxiti përsëri ShBA-në të zbatojë si duhet parimin e "Një Kine" dhe tre komunikatat e përbashkëta përkatëse, duke trajtuar me seriozitet këtë problem.

Në bisedë, Pompeo e njohu homologun kinez me qëndrimet e ShBA-së për problemin e Iranit. Lidhur me këtë, ministri Wang Yi tha se Kina, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i përkushtohet gjithmonë denuklearizimit, paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme."Shpresojmë se palët e ndryshme do të vetëpërmbahen, duke vepruar me maturi për të shmangur përshkallëzimin e situatës së tensionuar", tha z. Wang. Ai ritheksoi edhe kundërshtimin ndaj të ashtuquajturit "juridiksion i zgjatur" i palës amerikane.(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore