Roth: Shqipëria i përmbushi detyrat, BE të çelë negociatat

2019-05-16 09:47:30 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria gjermane është për hapjen sa më parë të bisedimeve për Shqipërinë, konfirmoi në një intervistë për "DW" ministri i shtetit Michael Roth, pas takimit me ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë.

I pyetur nëse do të mbahet premtimi që iu dha Shqipërisë për çeljen e negociatave në qershor 2019 nëse do të plotësonte disa kushte, Roth tha se, "ne vazhdojmë ta mbështesim perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne duhet t'i mbajmë premtimet tona. Një vit më parë, në qershor, i dhamë Shqipërisë disa detyra me vete dhe kam përshtypjen se Shqipëria i ka përmbushur këto detyra: reforma ligjore, lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës së drogës, ndërtimi i një administrate moderne. Në këto fusha janë bërë përparime të mëdha. Unë madje shkoj aq larg, sa të them se ndoshta nuk ka vend që të ketë përmbushur kaq shumë detyra para çeljes së negociatave të anëtarësimit. Sigurisht ka akoma shumë për të bërë, por jam optimist, se mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur, mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë". (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore