Bota Arabe kundërshton vendimin e ShBA-së për sovranitetin e Lartësive Golan

2019-03-26 10:32:10 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i ShBA-së Donald Trump nënshkroi të hënën një dekret për njohjen zyrtare të sovranitetit të Izraelit ndaj Lartësive Golan, toka siriane e pushtuar nga Izraeli. Ky veprim i qeverisë amerikane u dënua dhe kundërshtua ashpër nga bota arabe.

Duke iu referuar fjalëve të një diplomati sirian, agjencia e lajmeve e Sirisë njoftoi se njohja nga ShBA-ja e sovranitetit të Izraelit ndaj Golanit është shkelje e hapur e sovranitetit, tërësisë territoriale të Sirisë dhe shpërfillje serioze ndaj ligjit ndërkombëtar.

"Presidenti amerikan s'ka të drejtë të legjitimojë pushtimin ose të grabisë tokën e të tjerëve me forcë", komentoi agjencia kombëtare siriane, "kjo politikë e ShBA-së do u sjellë këtij rajoni dhe mbarë botës më shumë rreziqe."

Në deklaratën e tij, shefi i Lidhjes Arabe, Ahmed Abul Gheit dënoi me fjalët më të ashpra këtë veprim të Trump-it. Në deklaratë thuhet se dekreti i Trump-it nuk ka fuqi si në formë e në thelb dhe nuk do të ndikojë statusin ligjor të Lartësive Golan.

Kryetari i Parlamentit Arab Mashal bin Fahm al Salmi tha se ky dekret s'ka fuqi ligjore dhe shkel rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht Këshillit të Sigurimit të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat përkatëse, duke e konsideruar Golanin si territor të pushtuar.

Ministria e Punëve të Jashtme e Libanit tha se ky veprim i Trump-it minon përpjekjet për realizimin e drejtësisë e paqes në Lindjen e Mesme dhe do të izolojë më tej Izraelin. Lartësitë Golan janë territor i "Sirisë Arabe" dhe "asnjë vend nuk mund ta ndryshojë historinë dhe t'ia japë tokën e një vendi një vendi tjetër."

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Cavusoglu tha se vendimi i Trump-it është i papranueshëm dhe se Turqia do ta kundërshtojë këtë vendim me veprime të përbashkëta, përfshirë ato në OKB. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore