ShBA-ja vendos sanksione ndaj kompanisë minerare venezuelase "Minerven"

2019-03-20 10:45:20 CRI Komenti juaj Printoni

Departamenti i Thesarit i ShBA-së deklaroi të martën se do të vendosë sanksione mbi kompaninë minerare venezuelase "Minerven" dhe presidentin e kësaj kompanie.

Sipas deklaratës së Departamentit të Thesarit, "Minerven" është e vetmja kompani shtetërore e përpunimit të arit në Venezuelë dhe ajo përkrah qeverinë e Maduro-s kryesisht përmes përpunimit dhe tregtisë së arit. Në deklaratë thuhet po ashtu se pasuritë e "Minerven"-it brenda territorit të ShBA-së do të ngrijnë dhe shtetasit amerikanë e kanë të ndaluar të bëjnë transaksione me këtë kompani.

Qeveria amerikane njohu më 23 janar kryeparlamentarin dhe drejtuesin e opozitës së Venezuelës Juan Guaido si "president të përkohshëm" të vendit. Departamenti i Thesarit shpalli më 28 janar sanksione ndaj kompanisë venezuelase të naftës PDVSA, për të nxitur dorëheqjen e presidentit venezuelas Nicolas Maduro. ShBA-ja ka vazhduar të shtojë sanksionet ndaj Venezuelës, gjë që është dënuar nga qeveria e këtij vendi. (Li Huailiang/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore