Shqipëri, ambasada kineze organizon veprimtari në Ditën e Gruas

2019-03-13 11:00:30 CRI Komenti juaj Printoni

Më 8 mars, ambasada kineze në Tiranë organizoi veprimtarinë "Festojmë 8 Marsin, kujtojmë miqësinë dhe shohim drejt së ardhmes". Në këtë ngjarje festive ishin të pranishëm përfaqësuese shqiptare që kanë punuar dhe studiuar në Kinë, artiste përfshi balerina, piktore, pianiste si dhe përfaqësuese të tjera nga fusha e biznesit etj.

Në fjalën e saj, bashkëshortja e ambasadorit të Kinës në Shqipëri znj. Lyu Renhong shprehu urimet për këtë festë. Ajo tha se gratë kineze dhe shqiptare kanë dhënë kontribut të çmuar në fushat politike, ekonomike dhe shoqërore. Në Kinë, tha ajo, kemi një shprehje se "Gratë janë gjysma e qiellit", dhe ato nuk janë kurrë inferiore ndaj burrave. Në Shqipëri, keni një shprehje si "Gruaja është qafa, burri është koka". Këto fjalë tregojnë vëmendjen e dy vendeve tona për të drejtat e grave dhe vlerësimin ndaj kontributit të gruas.

Ajo theksoi se marrëdhëniet miqësore kino-shqiptare po shkëlqejnë me pamje të re pas 70 vitesh. Gratë e dy vendeve tona, duhet të trashëgojnë farën e miqësisë së brezit të vjetër dhe të vazhdojnë të shfaqin karakteristika të punës së zellshme dhe të vijojnë të jenë të sjellshme dhe të ndjeshme si dhe të japin kontribut të ri për të nxitur bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme.

Fjalime mbajtën edhe disa nga pjesëmarrëset, ku folën për përvojat e tyre gjatë 70 viteve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë dhe shprehën shpresën për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e gruas.

Në këtë veprimtari foli dhe zonja Loreta Bedalli, një ndër studentet e para shqiptare të viteve '60 në Kinë. Ajo u ndal tek kontributi i Republikës Popullore të Kinës në përgatitjen e studentëve shqiptarë të degëve të ndryshme dhe në ndërtimin e rreth 30 veprave të mëdha industriale në Shqipëri. Ajo vlerësoi se përparimet e sotme të Kinës burojnë nga fryma për gjithpërfshirje dhe mençuria e popullit kinez për t'u përshtatur me rrymën bashkëkohore. Ndërsa, znj. Delina Fico e cila ka lindur në vitet '60 në Kinë u shpreh se Kina është bërë vendlindja e saj e dytë. Tani ajo merret me bashkëpunimin ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe shpreson se dy vendet do të forcojnë shkëmbimet përkatëse për të nxitur përparimin e përbashkët shoqërore. Ndërsa, Huang Ying, një studente e re kineze që po studion në Tiranë tha se do të përpiqet të mësojë më me zell për të dhënë kontribut në forcimin e miqësisë midis dy popujve.

Mbrëmja festive më pas u hap me interpretimin fizarmonik dhe u gjallërua me performancën e përgatitjes së çajit nga pedagogia kineze e Institutit Konfuci të Tiranës Wang Fanjin nën shoqërimin e luajtjes me instrumentin muzikor kinez guzheng nga diplomatja Chen Yao.

Në ritmet e valleve shqiptare zonjat kineze dhe të ftuarat shqiptare vallëzuan së bashku të kryesuar nga valltarja e njohur znj. Piti, duke i dhënë një gëzim të veçantë atmosferës.

 

Mrekulli
Lajmet Kryesore