Ambasadori kinez Zhou Ding viziton profesor Agron Ficon

2019-03-08 11:37:42 CRI Komenti juaj Printoni

7 marsi është Dita e Mësuesve. Me këtë rast, ambasadori kinez në Tiranë, z. Zhou Ding, bëri një vizitë në shtëpinë e profesorit Agron Fico, një nga themeluesit e katedrës së gjuhës shqipe të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe profesori i parë shqiptar që ka dhënë mësimin e gjuhës shqipe në Kinë.

Z. Zhou i uroi profesor Ficos festën dhe tha se nderimi i mësuesve është një traditë si në Kinë, edhe në Shqipëri. Si bashkëthemelues i degës së gjuhës shqipe të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit në vitin 1961, profesor Fico ka hedhur një bazë të shëndoshë për mësimdhënien e mëvonshme të gjuhës shqipe në Kinë, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme historike për nxitjen e shkëmbimeve kulturore-njerëzore kino-shqiptare. Gjatë më shumë se 50 vjetëve, nga katedra e gjuhës shqipe u diplomuan shumë studentë që tashmë zotërojnë gjuhën shqipe dhe njohin kulturën shqiptare, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm për forcimin e miqësisë tradicionale dhe shkëmbimet midis dy vendeve në fusha të gjera. Në vitin 2017, në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit u krijua qendra e albanologjisë, e para e këtij lloji në Azi për studimin e mësimdhënien e historisë, kulturës, gjuhës dhe letërsisë shqiptare dhe që shënon një përparim të ri për mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe studimet albanologjike në Kinë në bazë të katedrës së gjuhës shqipe. Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Ambasada e Kinës dëshiron ta shfrytëzojë këtë rast për të çuar përpara pandërprerë këto marrëdhënie nëpërmjet forcimit të miqësisë popullore.

Profesor Agron Fico nga ana e tij e falënderoi ambasador Zhou-n për vizitën dhe urimet e ngrohta. Ai u shpreh se në Kinë ka një fjalë të urtë që thotë: "Ata që nxjerrin ujë, nuk i harrojnë kurrë gërmuesit e pusit". Sipas tij, miqësia e zjarrtë e popullit kinez mbetet gjithmonë e freskët në kujtesën e tij dhe koha që kaloi në Kinë është një thesar i çmuar i jetës së tij. Tani profesor Fico ndjek çdo ditë lajmet nga Kina dhe lexon shpesh libra, si "Citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping" dhe "Qeverisja e Kinës". Ai gëzohet jashtë mase për arritjet e mëdha që ka bërë Kina dhe uron që marrëdhëniet kino-shqiptare të përparojnë më tej në epokën e re për të trashëguar miqësinë tradicionale.(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore