Ambasadori kinez Zhou Ding takon ministrin shqiptar të Bujqësisë Bledi Çuçi

2019-03-06 11:05:27 CRI Komenti juaj Printoni

Më 4 mars, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding u takua me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi. Dy palët shkëmbyen mendime të thella për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Këshilltari politik i ambasadës Bai Yunbin ishte i pranishëm në takim.

Ambasadori Zhou u shpreh se bujqësia është sektori më i rëndësishëm në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë dhe fusha parësore ku zhvillohet bashkëpunimi Kinë-Shqipëri. Ndërtimi i "Një brez, një rrugë" dhe "Bashkëpunimi 16+1" do të sjellin energji të re nxitëse për bashkëpunimin bujqësor kino-shqiptar.

Përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të zgjeruar bashkëpunimin bujqësor me palën shqiptare me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve. Pala kineze do të inkurajojë më shumë kompani cilësore kineze të vijnë në Shqipëri për investime, do të ndihmojë në ngritjen e nivelit të mekanizimit bujqësor e në zhvillimin e agroturizmit dhe ekobujqësisë në Shqipëri etj.

Pala kineze mirëpret vazhdimin e pjesëmarrjes së kompanive shqiptare në Ekspozitën e 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës. Me këtë rast, do të promovohen markat shqiptare dhe do të nxitet hyrja e produkteve cilësore shqiptare në tregun kinez.

Ministri Blendi Çuçi përmendi nga ana e tij që prindërit e tij kanë studiuar në Kinë, ndërsa vetë ai bëri një vizitë të dytë në Kinë vitin e kaluar, duke parë arritjet e mëdha të Kinës gjatë viteve të fundit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me Kinën dhe është e gatshme të përpiqet bashkë me palën kineze për zbatimin e programeve ekzistuese të bashkëpunimit, duke zgjeruar fushat e reja të bashkëpunimit për të realizuar përfitime të ndërsjella.

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore