Ambasadori kinez në Shqipëri takon zv.ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë

2019-03-01 11:02:19 CRI Komenti juaj Printoni

Më 27 shkurt, ambasadori kinez në Shqipëri z.Zhou Ding u takua me zv.ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë z.Hantin Bonati. Dy palët folën për forcimin e bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës dhe energjisë dhe shkëmbyen mendimet për nxitjen e projekteve të rëndësishme. Në këtë takim ishin të pranishëm këshilltari ekonomiko-tregtar i ambasadës kineze Lian Gang dhe këshilltarja e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Matilda Kërçaku.

Ambasadori Zhou u shpreh se fusha e infrastrukturës dhe energjisë është një ndër drejtimet e rëndësishme të bashkëpunimit praktik kino-shqiptar dhe me shumë potencial në bashkëpunimin e ardhshëm dypalësh.

Ai shtoi se ndërmarrjet kineze në Shqipëri kanë paguar shumë tatime dhe kanë hapur shumë vende pune në Shqipëri, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Ai shtoi se qeveria kineze do të vazhdojë të nxisë investimet në Shqipëri nga ndërmarrjet e fuqishme kineze. Dy palët duhet të shfrytëzojnë plotësisht propozimet e nismës "Një brez, një rrugë" dhe sistemin e "Bashkëpunimit 16+1", për të ngritur nivelin e komunikimit ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera në këtë rajon. Kina, theksoi ai, shpreson që pala shqiptare do të krijojë një mjedis investimesh dhe tregu më të favorshëm për ndërmarrjet e huaja, duke përshirë ato kineze.

Z.Hantin Bonati përshëndeti z.Zhou Ding për ngarkimin me detyrën e re të ambasadorit dhe u shpreh se pala shqiptare mirëpret forcimin e bashkëpunimit me palën kineze. Shqipëria, tha Bonati, mirëpret më shumë investime nga ndërmarrjet kineze, për të nxitur zhvillimin e infrastrukturës dhe të energjisë. Qeveria shqiptare po punon për të përmirësuar më tej mjedisin tregtar për ta tërhequr më shumë investimet e huaja.(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore