Tiranë, ambasadori kinez takon ministrin e Turizmit dhe të Mjedisit Blendi Klosi

2019-03-01 10:34:17 CRI Komenti juaj Printoni

Më 28 shkurt, ambasadori i Kinës në Shqipëri z.Zhou Ding u takua me ministrin shqiptar të Mjedisit dhe të Turizmit z.Blendi Klosi. Të dy palët shkëmbyen thellësisht mendime lidhur me forcimin e bashkëpunimit turistik kino-shqiptar. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe këshilltari politik i ambasadës z.Bai Yunbin.

Ambasadori Zhou u shpreh se Shqipëria ka natyrë të bukur dhe populli shqiptar është mikpritës. Miqësia tradicionale kino-shqiptare është shumë e thellë dhe perspektiva e turizmit dypalësh është e gjerë. Vitin e kaluar gjatë sezonit turistik, numri i turistëve kinezë që vizituan Shqipërinë pati një rritje prej 65%. Ai tha se pala kineze përgëzoi palën shqiptare për vijimin e politikës së heqjes së vizave turistike ndaj turistëve kinezë gjatë sezonit turistik.

Ambasadori Zhou tha se sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Shqipëri. Për këtë pala kineze është e gatshme të punojë së bashku me palën shqiptare për të gjetur më shumë elemente miqësore kino-shqiptare, për të zgjeruar promovimin e turizmit, duke lidhur më ngushtë zemrat e dy popujve. Dy palët, shtoi ai, do të shfrytëzojnë më plotësisht nismën "Një brez, një rrugë" dhe Bashkëpunimin "16+1", të rrisin nivelin e infrastrukturës turistike dhe aftësinë e pritjes së turistëve nga pala shqiptare.

Nga ana e tij, ministri Klosi u shpreh se pala shqiptare i kushton rëndësi tregut turistik kinez dhe është e gatshme të mbajë shkëmbime të vazhdueshme dhe koordinim të ngushtë me palën kineze, për të arritur së bashku më shumë efektivitet në thellimin e bashkëpunimit dypalësh turistik. Ai shtoi se Shqipëria është gjithashtu e gatshme të planifikojë me vendet fqinje më shumë paketa turistike tërheqëse për turistët kinezë për ta bërë Shqipërinë një vend shembullor të turistëve kinezë në Ballkan. (Vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore