Xi: Duhet të shfrytëzohet hapësira kozmike me mençurinë kineze

2019-02-21 10:56:49 CRI Komenti juaj Printoni

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, kryetar i shtetit dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të Kinës Xi Jinping të martën pasdite në Pekin pati një takim me përfaqësuesit e personelit kërkimor të sondës hënore "Chang'e-4".

Ai theksoi që hulumtimet kozmike nuk kanë fund dhe se punonjësit shkencorë dhe të fluturimeve kozmike të Kinës duhet të përpiqen për realizimin e objektivit të përgjithshëm të hulumtimeve në Hënë dhe për zhvillimin e çështjes së fluturimeve hapësinore të botës, për të kontribuuar më shumë mençuri kineze, projekte kineze dhe fuqi kineze në shfrytëzimin e hapësirës dhe ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit.

Xi Jinping-u shprehu përshëndetje të sinqerta për të gjithë punonjësit e urime të ngrohta për të tërë ata që kanë dhënë kontribut për misionin e suksesshëm të sondës "Chang'e-4".

Presidenti kinez theksoi se gjërat e mëdha nisin nga ëndrrat. Kombi kinez ka guximin për të ndjekur ëndrrat e veta. Vendimi i PKK-së për këtë projekt ka pikërisht synimin që të realizohet ëndrra e kombit kinez.

"Në rrugën drejt një vendi të fuqishëm modern socialist dhe mëkëmbjes së kombit kinez, çdo sektor e çdo njeri duhet të ketë një ëndërr, të luftojë për të, të përpiqet hap pas hapi e brez pas brezi për realizimin e ëndrrës," tha Xi Jinping-u.

Ai vuri në dukje gjithashtu se punët e mëdha janë bazuar te risitë. Ky mision ka treguar shumë arritje inovative, duke shënuar shumë rekorde brenda e jashtë Kinës.

"Duhet të shfrytëzojmë fort prirjen e zhvillimit shkencor të botës, të promovojmë frymën shkencore, të fokusohemi te sektorët strategjikë dhe të përparuar bazë, të ngulim këmbë për përmirësimin e disavantazheve, të planifikojmë para kohe, të përpiqemi për zhvillim dhe arritje në teknologjitë kyçe thelbësore, të rritim efektivitetin e sistemit inovativ të vendit, të shtojmë pandërprerë forcën shkencore e aftësinë rinovuese dhe të përpiqemi për të zënë një vend të rëndësishëm në sektorin e teknologjisë së lartë të botës," theksoi Xi Jinping-u.

Xi shtoi gjithashtu se Kina nxit aktivisht bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorin hapësinor, duke pasur bashkëpunim efektiv me shumë vende dhe organizata ndërkombëtare. Suksesi i misionit "Chang'e-4" përfshin kontributin nga shumë vende.

"Eksplorimi kozmik është ëndrra e përbashkët e njerëzimit. Jemi të gatshëm që, bashkë me vendet e tjera të botës, të ngulim këmbë në konsultimet e përbashkëta, ndërtimin e përbashkët dhe ndarjen e përbashkët, të shtojmë shkëmbimet ndërkombëtare në studim dhe kërkim, të nxisim programin 'Shkencë e Madhe' dhe ndërtimin e qendrave përkatëse, të përmirësojmë aftësinë e inovacionit e të bashkëpunimit të hapur dhe të nxisim zhvillimin e çështjeve shkencore të njerëzimit," u shpreh Xi Jinping-u.

Suksesi i misionit të sondës "Chang'e-4" është ulja e parë dhe eksplorimi i parë i njerëzimit në anën e pasme të Hënës, çka ka realizuar për herë të parë telekomunikimin mes Tokës dhe kësaj pjese të Hënës. Kjo është gjurma e parë në anën e pasme të Hënës në historinë e studimit nga njeriu të satelitit të vetëm të Tokës, duke hapur një kapitull të ri të eksplorimeve kozmike të njerëzimit.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore