Pekin: Xi Jinping-u takohet me zyrtarët e lartë amerikanë

2019-02-15 19:14:32 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua të premten në Pekin me Përfaqësuesin Tregtar të ShBA-së Robert Lighthizer dhe sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin, që ndodhen në Kinë për konsultimet tregtare mes Kinës dhe ShBA-së.

Xi vuri në dukje se marrëdhëniet Kinë-SHBA janë një nga marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme të botës së sotme. Të dyja palët kanë interesa e përgjegjësi të përbashkëta për paqen e stabilitetin e botës dhe zhvillimin e lulëzimin global. Zhvillimi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm i lidhjeve mes dy vendeve përputhet me interesat thelbësore të të dy popujve dhe mirëpritet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Presidenti Xi Jinping u shpreh gjithashtu që grupet ekonomiko-tregtare të të dy palëve, qysh nga dhjetori i vitit 2018, kanë pasur konsultime të ngjeshura dhe pozitive. "Lidhur me mosmarrëveshjet tregtare, ne jemi të gatshëm që t'i zgjidhim nëpërmjet bashkëpunimit, por bashkëpunimi ka parimet e veta. Këto dy ditë, e gjithë bota po shikon Pekinin dhe të dyja palët kanë pasur përparime të rëndësishme. Javën tjetër, të dyja palët do të takohen në Uashington. Shpresoj që të vazhdoni më tej të nxitni marrëveshjen me përfitime të përbashkëta," u shpreh kreu i shtetit i Kinës.

Lighthizer dhe Mnuchin dërguan nga ana e tyre përshëndetjet dhe urimet e ngrohta nga presidenti amerikan Trump për homologun e tij kinez Xi Jinping, duke u shprehur që lidhjet tregtare Kinë-ShBA janë shumë të rëndësishme. "Në bazë të konsultimeve të mëparshme, të dyja palët kanë bërë diskutime të thella mbi çështjet e përbashkëta tregtare dhe kanë pasur përparime të reja në disa çështje të vështira. Megjithëse ende ka shumë punë, ne kemi shpresë. Në fazën tjetër, grupi amerikan është i gatshëm që bashkë me grupin kinez të thellojnë komunikimin, të punojnë me zell dhe të përpiqen për arritjen e një marrëveshjeje në përputhje me interesat e të dy palëve. Presidenti Trump e respekton shumë presidentin Xi dhe po pret që të mbajë lidhje të ngushta me të," thanë përfaqësuesit e lartë të ShBA-së.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore