Italia: Vizita e ministrit të Jashtëm të Kinës do të nxitë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe

2019-01-23 10:46:28 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 23 deri më 26 janar, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi do të bëjë vizita në Francë dhe në Itali. Në Francë ai do të marrë pjesë në sesionin e 18-të të konsultimeve të koordinatorëve të Dialogut Strategjik Kinë-Francë, ndërsa në Itali do të drejtojë mbledhjen e 9-të të përbashkët të Komitetit të Qeverive Kinë-Itali. Në një intervistë të martën për Radion e Jashtme të Kinës (CRI), ambasadori italian në Kinë Ettore Francesco Sequi (Etore Françesko Sekui) vuri në dukje se kjo vizitë ka rëndësi të madhe për të nxitur marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik Itali-Kinë.

Sequi u shpreh se shkëmbimet e ndërsjella mes Italisë dhe Kinës janë shumë të shpeshta. Në vitin 2018, shumë funksionarë të lartë të qeverisë italiane, duke përfshirë ministrin e Financave dhe atë të Zhvillimit Ekonomik etj., bënë vizita në Kinë dhe nënshkruan një numër të madh marrëveshjesh të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar me palën kineze. Marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet të dy vendeve kanë shfaqur prirje pozitive zhvillimi.

"Vëllimi i tregtisë ndërmjet Italisë e Kinës arriti në 42 miliardë euro në vitin 2017, me një rritje vjetore afro 10 %. Eksportet e Italisë në Kinë u shtuan me 22 %. Kjo prirje ka vazhduar edhe në vitin 2018. Në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar, vëllimi i tregtisë mes të dy vendeve u rrit me 4 %, duke arritur në 37 miliardë euro," tha Sequi.

Përfaqësuesi i diplomacisë italiane në Kinë është i mendimit se marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet të dy vendeve kanë luajtur një rol të rëndësishëm nxitës për marrëdhëniet kino-evropiane dhe sistemin shumëpalësh ndërkombëtar. (Xu Guang/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore