A do t'i frenojë Traktati i Ahenit forcat populiste në Evropë?

2019-01-23 21:31:36 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel nënshkruan të martën "Traktatin e Ahenit" në qytetin Ahen të Gjermanisë Perëndimore, për të forcuar statusin e "vendeve të boshtit" në procesin e integrimit të Evropës dhe për të koordinuar qëndrimet e tyre në problemet kyçe ekonomike, diplomatike, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Aheni ishte kryeqyteti i Perandorisë së Karlit të Madh. Është kuptimplot që Franca dhe Gjermania e nënshkruan traktatin e ri në këtë qytet.

Traktati i Ahenit konsiderohet si deklaratë kundër forcave të egoizmit nacionalist dhe të populizmit, të përhapura gjithnjë e më shumë në Evropë. A do të këmbëngulin Franca dhe Gjermania në ëndrrën e integrimit dhe të zhbëjnë prirjen e "interesave vetjake" në Evropë me një zë unik dhe me veprime të përbashkëta? Kjo varet nga tre faktorë kryesorë.

Së pari, a është i vendosur synimi i hartimit të traktatit. Traktati i Ahenit konsiderohet si versioni 2.0 i "Traktatit të Elizesë", të nënshkruar nga Franca dhe Gjermania më 1963. Të dy traktatet kanë si qëllim mbrojtjen e interesave të Evropës dhe forcimin e së drejtës së fjalës në çështjet ndërkombëtare. Të dy vendet kanë si synim strategjik, pak a shumë, frenimin e ndikimit të ShBA-së. Franca dhe Gjermania nuk kanë ndryshuar qëllimin e tyre gjatë 56 vjetëve, pavarësisht nga ndryshimet e situatës në botë e në rajon. Synimi i tillë është patjetër i vendosur.

Së dyti, a është i favorshëm mjedisi për zbatimin e traktatit. Franca dhe Gjermania nuk kanë më të drejtën absolute të fjalës në Evropën e sotme. Në Francë, Macroni duhet të trajtojë protestat e "jelekëve të verdhë", ndërsa Merkeli, që do të jetë në postin e kancelares vetëm deri në vitin 2021, përballon presionin e dyfishtë nga koalicioni në fuqi dhe nga opozita. Të gjitha këto shtojnë shumë faktorë të pasigurt për zbatimin e Traktatit të Ahenit.

Së treti, a do të jetë në favor të procesit të integrimit të Evropës. Traktati i Ahenit përfshin shumë masa konkrete, si hartimi nga të dyja vendet i planit të përbashkët të armatimit dhe të përgatitjes ushtarake, përkrahja e Francës për kërkesën e Gjermanisë për t'u bërë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, njohja e ndërsjellë e dëftesave të arsimit parauniversitar etj. Por nga këto masa nuk shihet si mund të nxitet krijimi i një Evrope më të fuqishme dhe proaktive. Thelbi i propozimit të Macronit për reformën e BE-së është hartimi i buxhetit unik dhe krijimi i një aleance të fortë ushtarake, por këto nuk mishërohen në Traktatin e Ahenit.

Liderët e Francës dhe të Gjermanisë kanë vendosmërinë për nxitjen e integrimit evropian, por në BE-në e sotme zbatohet rregulla e "shumicës së dyfishtë", që do të thotë që për miratimin e çdo projekti duhet përkrahja e të paktën 16 vendeve dhe popullsia e këtyre vendeve duhet të arrijë 65% të popullsisë së përgjithshme të BE-së. Franca dhe Gjermania zënë vetëm 30% të popullsisë së përgjithshme të BE-së. Për përparimin e mëtejshëm të integrimit të Evropës, ato duhet të solidarizojnë më shumë vende të BE-së. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore