Stephen Perry: Për të kuptuar Kinën, duhet të kuptojmë nismën "Një brez, një rrugë"

2019-01-18 16:19:59 CRI Komenti juaj Printoni

 

Në kremtimet për 40-vjetorin e Reformës dhe Hapjes në Kinë, Stephen Perry, kryetari i "Klubit të Grupit 48", me qendër në Britaninë e Madhe, u nderua me Medaljen e Miqësisë të Reformës të Kinës. Kohët e fundit, miku i vjetër i popullit kinez tha në një intervistë me gazetarët në Londër se nisma "Një brez, një rrugë" është një zgjerim i Reformës dhe Hapjes së Kinës. Sipas tij, për ta kuptuar me të vërtetë Kinën, është e nevojshme të kuptohet kjo nismë.

Në vitin 1953, i ati i Stephen-it, Jack Perry, atëherë kryetar i Korporatës së Eksportit të Londrës, dhe 15 përfaqësues të biznesit britanik, thyen bllokadën perëndimore ndaj Kinës dhe vizituan Kinën, duke hapur dialogun më të hershëm tregtar dypalësh. Në vitin pasardhës, 48 kompani britanike të interesuara për të zhvilluar tregti me Kinën themeluan "Grupin e Tregtisë Britaniko-Kineze 48", i cili në vitin 1991 e ndryshoi emrin e tij në "Klubi i Grupit 48 i Britanisë". Në vitin 1993, Stephen Perry u bë kryetar i këtij klubi.

Me vite të tëra të të kuptuarit të Kinës dhe botës, Perry beson se është koha që liderët dhe kompanitë e huaja ta kuptojnë nismën "Një brez, një rrugë" dhe transformimin ekonomik të Kinës:

"Liderët e kompanive të huaja dhe politikanët e huaj, nëse duan ta dinë se çfarë po mendojnë në tryezën e bisedimeve sipërmarrësit kinezë apo udhëheqësit kinezë, ata duhet të kuptojnë nismën 'Një brez, një rrugë' dhe transformimin e kompanive kineze dhe të ekonomisë kineze."

Në intervistën e tij, ai vlerësoi gjithashtu Reformën dhe Hapjen e Kinës dhe nismën "Një brez, një rrugë", duke thënë se ato i ofrojnë mundësi të mira të gjithë botës:

"Kina është një eksportuese dhe importuese kryesore në botë, duke i dhënë botës një rritje ekonomike prej 30%. Me zgjerimin e nismës 'Një brez, një rrugë' në Afrikë dhe në Amerikën Latine, asnjë vend tjetër i botës nuk mund të ofrojë mundësi dhe rritje të tilla."

Perry tha se Kina tani ka një ndikim të madh në botë dhe është e rëndësishme për të huajt që të kuptojnë mendësinë e popullit kinez. Për të kuptuar këtë mendësi, duhet të kuptohet historia dhe kultura e Kinës. Stephen Perry tha se detyra e tij është të ndihmojë britanikët, evropianët dhe amerikanët të kuptojnë se në ç'rrugë dëshiron Kina të ecë dhe t'u shpjegojë atyre konceptin e "bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit":

"Plani i Kinës nuk është të bëhet një superfuqi, por që të ketë një ekonomi të zhvilluar dhe shoqëri të përparuar, e jo të kontrollojë vendet e tjera. Kjo do të thotë të kuptosh konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit'."

"Klubi i Grupit 48" përbëhet tani nga më shumë se 600 individë ose institucione nga Britania dhe Kina, duke mbuluar fushën e biznesit, të kulturës, të diplomacisë dhe atë akademike. Me besimin te "barazia dhe përfitimet e ndërsjella", klubi është i hapur për të gjithë ata që janë të angazhuar për të zhvilluar në mënyrë aktive marrëdhëniet Britani-Kinë dhe u ofron atyre një platformë për shkëmbime.

Mrekulli
Lajmet Kryesore