Kina dyshon në qëllimin e vërtetë të nisjes nga ShBA-ja të hetimit ndaj "Huawei"-t

2019-01-18 09:38:39 CRI Komenti juaj Printoni

Është raportuar se prokuroria federale amerikane ka nisur kohët e fundit një hetim penal për të gjetur nëse "Huawei" ka vjedhur sekretet tregtare të partnerëve amerikanë. Sipas këtij raporti, hetimi nga prokurorët e ShBA-së filloi nga padia e vitit 2014 e "T-Mobile" kundër "Huawei"-t. Duke u përgjigjur lidhur me këtë në një konferencë të rregullt shtypi, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying tha:

"Nga ajo që kuptojmë ne, mosmarrëveshja midis 'Huawei'-t dhe 'T-Mobile' është një mosmarrëveshje civile midis kompanive. Palët tashmë e kanë zgjidhur atë me anë të kanaleve ligjore. Raportohet se prokuroria federale e SHBA-së ka nisur një hetim penal mbi çështjen. Ne shprehim shqetësim për këtë veprim, sidomos dyshojmë për qëllimet e vërteta që gjenden pas tij. Nëse zmadhohen dhe politizohen befasisht çështjet e zakonshme civile ose përdoren mekanizmat shtetërorë për të goditur kompanitë kineze, kjo ështënë kundërshtim jo vetëm me rregullat e konkurrencës së lirë dhe të drejtë, por edhe me sundimin e ligjit."

Hua Chunying-u ritheksoi se qeveria kineze gjithmonë i inkurajon ndërmarrjet kineze të zhvillojnë bashkëpunim jashtë vendit sipas parimeve të tregut dhe mbi bazën e rregullave ndërkombëtare. Ajo shprehu shpresën se ShBA-ja do të ofrojë një mjedis të drejtë konkurrimi për ndërmarrjet kineze, që ato të zhvillojnë një aktivitetet normal biznesi në Shtetet e Bashkuara.(Vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore