Kina do të marrë masa të ndryshme për të nxitur zhvillimin ekonomik të cilësisë së lartë

2019-01-16 14:18:45 CRI Komenti juaj Printoni

Përgjegjësit përkatës të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, Ministrisë së Financave dhe Bankës Popullore të Kinës, thanë në një konferencë për shtyp të mbajtur nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të martën që, me qëllim zbatimin e kërkesave të Mbledhjes Qendrore të Punës Ekonomike, sivjet do të forcohet puna në pesë aspekte të ndërtimit të infrastrukturës së re, do të pakësohen më tej tarifat dhe, në të njëjtën kohë, do të ndiqet një politikë monetare e stabilizuar, si toni i përgjithshëm i punëve për vitin 2019, për të ruajtur një total të arsyeshëm financimi, por edhe për të optimizuar strukturën.

Mbledhja Qendrore e Punës Ekonomike të Kinës, e mbajtur në fund të vitit të kaluar, theksoi se është e nevojshme të shfrytëzohet roli kryesor i investimeve dhe të promovohet formimi i një tregu të fortë vendas. Lian Weiliang, zv.kryetar i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, foli lidhur me rolin kyç të investimeve. Pika kryesore është këmbëngulja që tregu të luajë një rol vendimtar në shpërndarjen e burimeve, që qeveria ta luajë më mirë rolin e saj dhe të rriten investimet në dy fusha kyçe: ndërtim dhe transformim. Mes tyre, tranformimi do të fokusohet në rritjen e transformimit teknologjik të industrisë së prodhimit dhe rinovimin e pajisjeve, dhe "ndërtimi" do të nxjerrë në pah pesë aspektet e mëposhtme:

"Së pari, forcimi i ndërtimit të infrastrukturës së re, nxitja e zhvillimit të inteligjencës artificiale, internetit industrial dhe internetit të gjërave dhe përshpejtimi i ritmeve të komercializimit të rrjetit 5G. Së dyti, forcimi i punës për ndërtimin e infrastrukturës urbane dhe rurale, promovimi i ndërtimit të infrastrukturës bashkiake e logjistike dhe nxitja e zbutjes së varfërisë dhe ndërtimi i infrastrukturës rurale. Së treti, forcimi i ndërtimit infrastrukturor në fusha si energjetika, transporti, ruajtja e ujit etj. Së katërti, forcimi i ndërtimit të projekteve për jetesën e njerëzve dhe të shërbimeve publike, veçanërisht për të plotësuar mangësitë në arsim dhe në kujdesin mjekësor, shëndetësor dhe për të moshuarit. Së pesti, forcimi i mbrojtjes ekologjike dhe mjedisore dhe parandalimi i katastrofave natyrore."

Për uljen e taksave në një shkallë më të madhe, që u propozua nga Mbledhja Qendrore e Punës Ekonomike, Xu Hongcai, ndihmësministri i Financave, tha se sivjet Kina do të vazhdojë të zbatojë një politikë fiskale proaktive, e cila, duke stabilizuar kërkesën e përgjithshme, do të ushtrojë përparësitë e kontrollit strukturor të politikave fiskale dhe tatimore, do të rrisë gjallërinë e mikrosubjekteve dhe do të nxisë zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë, duke u fokusuar në uljen më të madhe të taksave dhe në përpjekjet për të rritur shpenzimet.

"Së pari, do të rritet intensiteti i uljes së taksave dhe tatimeve. Nga njëra anë, do të bëhet një ulje më e madhe e taksave, duke u fokusuar në pakësimin e barrës së prodhimit dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe mikrondërmarrjeve dhe në mbështetjen e zhvillimit të ekonomisë reale. Nga ana tjetër, do të nxiten uljet më të dukshme dhe do të përmirësohen dhe standardizohen projektet lokale të tarifimit. Së dyti, do të shtohen shpenzimet fiskale. Sipas situatës ekonomike dhe nevojave të ndryshme të shpenzimeve, shkalla e shpenzimeve fiskale do të zgjerohet në mënyrë të moderuar. Në të njëjtën kohë, shkalla e letrave me vlerë të posaçme të administratave vendore do të rritet në masë të madhe, për të mbështetur ndërtimin e projekteve të mëdha që janë në zbatim."

Zhu Hexin, zëvendësguvernator i Bankës Popullore të Kinës, tha se politika monetare e stabilizuar do të jetë toni i përgjithshëm i punëve për vitin 2019. Në të njëjtën kohë, duhet të ruhet një shkallë e moderuar e "shtrëngimit", duhet të mbahet një total i arsyeshëm financimi dhe duhen bërë përpjekje për përmirësime strukturore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore