Xi Jingping-u dhe Kim Jong Un-i zhvillojnë bisedime në Pekin

2019-01-10 09:03:20 CRI Komenti juaj Printoni

Është konfirmuar se të martën liderët e Kinës e të Koresë së Veriut zhvilluan bisedime në Pekin.

Xi Jinping-u dhe Kim Jong Un-i shkëmbyen thellësisht mendime për marrëdhëniet dypalëshe dhe problemet me interes të përbashkët.

Dy palët ranë dakord të nxitin zhvillimin e ri të marrëdhënieve kino-verikoreane dhe përparimin e pandërprerë të procesit të zgjidhjes politike të problemit të Gadishullit Korean.

Vizita e Kim Jong Un-it në Kinë do të përfundojë sot.

Xi Jinping-u theksoi se, me përpjekjet e përbashkëta, marrëdhëniet kino-verikoreane kanë hapur një faqe të re vitin e kaluar. Të dy palët kanë treguar me veprime konkrete vullnetin e palëkundur për nxitjen e procesit të zgjidhjes politike të çështjes së Gadishullit Korean. Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Kore e Veriut. Kjo gjë ka një domethënie të rëndësishme për trashëgimin e miqësisë tradicionale dhe realizimin e përparimeve të reja në të ardhmen. Të dyja palët duhet të ruajnë kontakte të nivelit të lartë, të forcojnë shkëmbimet strategjike dhe të thellojnë bashkëpunimin miqësor, për të garantuar zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm afatgjatë të këtyre marrëdhënieve.

Kim Jong Un-i shprehu falënderime që Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping, me gjithë agjendën e ngarkuar, gjeti kohë për t'u takuar me të. Kim shprehu në emër të Partisë, qeverisë e popullit të Koresë së Veriut përshëndetje për Partinë, qeverinë e popullin kinez. Sipas tij, nën përkujdesin e ngrohtë të Sekretarit të Përgjithshëm të PKK-së, vjet marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Kinës u ngritën në një nivel të ri dhe hynë në një fazë të re. "Shpresoj që nëpërmjet vizitës sime dhe me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, të shkëmbejmë thellësisht mendime mbi konsolidimin e miqësisë tradicionale mes Kinës e Koresë së Veriut dhe për forcimin e shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit mes të dy vendeve, për të nxitur konsolidimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis Koresë së Veriut dhe Kinës," u shpreh udhëheqësi koreanoverior.

Lidhur me situatën e Gadishullit Korean, Xi vlerësoi lart masat pozitive të marra nga pala koreanoveriore për të ruajtur paqen e qëndrueshmërinë dhe për të nxitur denuklearizimin e Gadishullit Korean.

Ai tha se vitin e kaluar është bërë përparim i madh në procesin e një zgjidhjeje politike të çështjes së Gadishullit Korean, me përpjekjet e përbashkëta të Kinës, Koresë së Veriut dhe palëve të tjera përkatëse.

Duke vënë në dukje se tashmë është formësuar një prirje e përgjithshme e dialogut paqësor mbi Gadishullin Korean, presidenti kinez Xi Jinping tha se është një pritshmëri dhe konsensus i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare që dialogu duhet të vazhdojë dhe të japë rezultate. Zgjidhja politike e çështjes së Gadishullit Korean gjendet përpara një mundësie të rrallë historike.

Kina mbështet Korenë e Veriut të vazhdojë të ecë në rrugën e denuklearizimit dhe të përmirësimit të marrëdhënieve me Korenë e Jugut, si edhe përkrah zhvillimin dhe arritjen e rezultateve të takimit të udhëheqësve midis Koresë së Veriut dhe ShBA-së dhe zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të palëve të përfshira nëpërmjet dialogut.

Kina shpreson se Koreja e Veriut dhe ShBA-ja do të ecin në të njëjtin drejtim, tha Xi, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm të përpiqet me Korenë e Veriut dhe palët e tjera për të luajtur një rol pozitiv dhe konstruktiv për të mbrojtur paqen e stabilitetin dhe për realizuar denuklearizimin e Gadishullit dhe paqen e stabilitetin afatgjatë në rajon.

Kim Jong Un-i u shpreh se gjendja në Gadishullin Korean është përmirësuar qysh nga viti i kaluar dhe roli i rëndësishëm i Kinës në këtë proces është i dukshëm për të gjithë. Ai tha se pala verikoreane i vlerëson lart dhe sinqerisht përpjekjet e palës kineze. Koreja e Veriut do të këmbëngulë në qëndrimin për denuklearizimin dhe zgjidhjen e problemit të Gadishullit Korean nëpërmjet dialogut e konsultimeve dhe do të bëjë përpjekje që samiti i dytë mes liderëve të Koresë së Veriut dhe të ShBA-së të arrijë rezultate që do të mirëpriten nga bashkësia ndërkombëtare.

Kim Jong Un-i theksoi gjithashtu shpresën se palët përkatëse do t'u kushtojnë vëmendje e do t'u përgjigjen pozitivisht shqetësimeve të arsyeshme të palës verikoreane, duke nxitur së bashku zgjidhjen e problemit të Gadishullit Korean.

Mrekulli
Lajmet Kryesore