Përpjekjet për "përshpejtimin e Kinës"

2019-01-01 16:22:19 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 奋斗 [fèn dòu] përpjekje

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dërgoi një mesazh me rastin e Vitit të Ri, përmes Grupit Mediatik të Kinës dhe internetit, duke i shprehur urimet e tij audiencës kineze e të huaj. Në mesazhin e urimit, Xi-u përgjithësoi arritjet e Kinës në vitin 2018, inkurajoi çdo kinez të vazhdojë përpjekjet për të realizuar ëndrrën e vet në vitin e ri dhe shprehu sinqeritetin dhe dashamirësinë e Kinës për mbrojtjen e paqes botërore dhe për nxitjen e zhvillimit të përbashkët.

Në mesazhin e Vitit të Ri 2019, Xi Jinping-u bëri një përmbledhje të arritjeve të zhvillimit të Kinës gjatë vitit 2018 në fushat ekonomike, ekologjike, të jetesës së popullit, të novacionit dhe të reformës e hapjes. Ai theksoi edhe një herë se këto arritje u realizuan nga populli kinez i kombësive të ndryshme dhe janë rezultat i djersës së pjesëmarrësve të panumërt në epokën e re. Gjatë vitit 2018, Kina "ka arritur rezultate të shumta dhe ka hedhur hapa të vendosur" dhe "nga këto, bota ka parë veprimet konkrete dhe vendosmërinë e Kinës për shpejtimin e reformës dhe hapjes."

Përpjekjet janë për realizimin e ëndrrës së njerëzve për një jetesë më të mirë. Pikërisht në bazë të përpjekjeve të paepura, kinezët e thjeshtë kanë ndier më shumë përfitime. Gjatë vitit 2018, edhe 10 milionë të varfër në fshat dolën nga varfëria, çmimet e 17 barnave të shtrenjta kundër kancerit janë ulur dhe janë përfshirë në listën kombëtare të rimbursimit të sigurimeve shëndetësore, mbi 13 milionë veta gjetën punë në qytete e qyteza, Hong-Kongu është përfshirë në rrjetin kombëtar të hekurudhës me shpejtësi të lartë, mbi 100 masa të rëndësishme të reformës filluan të zbatohen ... Të gjitha këto arritje të zhvillimit të përmendura në mesazhin e kreut të shtetit të Kinës kanë shpjeguar në mënyrë gjallë konceptin "lumturia vjen nga përpjekjet", për të cilat krenohen të gjithë kinezët.

Çdo njeri ka misionin e vet të epokës. "Mrekullia e Kinës", e krijuar gjatë 40 vjetëve të Reformës e Hapjes, është rezultat i arritur nga pjesëmarrësit e panumërt me "punën, mençurinë dhe trimërinë" e tyre.

Në mesazhin e Vitit të Ri, Xi Jinping-u kujtoi me emocion disa "emra të spikatur", si Nan Rendong, "babai i radioteleskopit kinez", Lin Junde e Zhang Chao, shembuj të ushtarakëve etj., të cilët z. Xi i quajti si "njerëzit më të dashur në epokën e re" dhe të cilët e meritojnë të kujtohen gjithmonë e prej të cilëve ia vlen që të mësohet gjithmonë. Presidenti i Kinës tregoi vëmendje edhe për kuadrot në zonat e varfra, që përpiqen të udhëheqin banorët vendës në daljen nga varfëria dhe i porositi ata "të kenë kujdes shëndetin". Xi shprehu preokupimin e vet edhe për punonjësit e logjistikës, punëtorët e pastrimit, drejtuesit e taksive dhe miliona të tjerë që nata e ndërrimit të viteve i gjeti në punë, duke shprehur falënderime për këta "krijues e mbrojtës të jetës sonë të bukur".

Viti 2019 është 70-vjetori i shpalljes së Republikës Popullore të Kinës dhe gjithashtu viti kyç për realizimin e një shoqërie relativisht të begatë. Aktualisht, me rritjen e proteksionizmit dhe unilateralizmit në botë, janë shtuar faktorët e pasigurt për zhvillimin e Kinës dhe të botës. Në Kinë, këtë vend më të madh në zhvillim, "përpjekje" mbetet prapëseprapë fjala kyçe.

Në fund të mesazhit të tij, Xi Jinping-u theksoi: "Pavarësisht si do të ndryshojë gjendja ndërkombëtare, besimi dhe vendosmëria e Kinës për mbrojtjen e sovranitetit dhe të sigurisë kombëtare nuk do të ndryshojë, e gjithashtu nuk do të ndryshojë as sinqeriteti dhe dashamirësia e Kinës për respektimin e paqes botërore dhe nxitjen e zhvillimit të përbashkët". Këto dy "mosndryshime" mishërojnë vullnetin e Kinës si vend i madh për dhënien e ndihmesës për paqen dhe zhvillimin e njerëzimit. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore