E gjithë bota po shikon Kanadanë

2018-12-13 12:55:44 CRI Komenti juaj Printoni

Të martën, gjykata e lartë e provincës kanadeze të Kolumbias Britanike zhvilloi seancën e tretë dëgjimore për lirimin me kusht të kryezyrtares financiare (CFO) të kompanisë kineze "Huawei" Meng Wanzhou. Në këtë seancë, gjykata vendosi lirimin e znj. Meng Wanzhou me një garanci pasurore 10 milionë dollarë kanadezë, duke përfshirë pasuri të patundshme e para, si edhe duke kërkuar 5 persona garantues.

Lirimi me kusht i zonjës Meng Wanzhou u ka sjellë asaj dhe të afërmve të saj, kompanisë "Huawei" dhe popullit kinez njëfarë qetësie. Lirimi me kusht është një hap i drejtë nga Kanadaja dhe është një sinjal pozitiv që duhet të përgëzohet.

Por rruga e lirisë për znj. Meng ende është e gjatë. Sipas medieve kanadeze, ShBA-ja mund të aplikojë për ekstradimin e saj deri më 8 janar të vitit 2019. Po ashtu, Meng Wanzhou do të dalë para gjykatës përsëri më 6 shkurt lidhur me çështjen e ekstradimit. Nëse ekstradohet, ajo mund të dënohet deri në 30 vjet burgim.

Në vitin 2008 "Huawei" hyri në tregun kanadez. Sipas medies kanadeze, kjo kompani nuk ka bërë asnjë veprim të paligjshëm në Kanada. Përkundrazi, "Huawei" ka krijuar në Otava, Toronto e Vaterlo qendra kërkim-zhvillimi, duke hapur mbi 500 vende pune në Kanada. "Huawei" është edhe sponsori i emisionit televiziv "Nata e hokejit në Kanada", që është shumë i mirëpritur në këtë vend.

Është e habitshme që Kanadaja, si "vendi më paqësor në botë", pranon direktivat e ShBA-së për zbatimin e ligjit. Për shkak të këtij veprimi, Kanadaja do të detyrohet të paguajë një çmim, përveçse në rast se e liron sa më shpejt Meng Wanzhou-n.

Veprimi i pamatur i Kanadasë ka dëmtuar marrëdhëniet e saj me Kinën. Përpjekjet e Kanadasë për shtimin e eksportit në tregun kinez dhe për tërheqjen e më shumë turistëve kinezë ndoshta do të pengohen, madje Kanadaja mund të detyrohet të heqë dorë nga këto përpjekje. Krahas kësaj, Kanadaja do të ketë një imazh negativ te populli kinez. Prandaj, Kanadaja duhet të marrë masa të vendosura dhe të mos e çojë veten në një gjendje të vështirë.

Disa vende perëndimore gjithmonë kanë qenë armiqësore ndaj "Huawei"-t, duke thënë se kjo kompani ka lidhje të ngushta me qeverinë kineze dhe se themeluesi i saj ka qenë pjesëtar i ushtrisë kineze. Për këtë arsye, "Huawei" është gjithashtu e njohur si kompania shumëkombëshe më e mbikëqyrur. Megjithatë, ata që e kanë bërë këtë mbikëqyrje nuk kanë ofruar asnjë dëshmi bindëse për të provuar se "Huawei" ka bërë ndonjë gjë të paligjshme. Këtë e kupton shumë mirë Kanadaja.

ShBA-ja ka marrë disa herë masa, si ngrirjen e pasurive të menaxherëve të lartë të kompanive të huaja. Këtë herë Kanadaja vepron si shërbëtore e ShBA-së, duke ndaluar dhe arrestuar zyrtaren e lartë të kompanisë "Huawei", që nuk ka bërë asgjë të paligjshme. Kjo pa dyshim do të shkaktojë një sërë ndikimesh negative dhe menaxherët e lartë të kompanive ndërkombëtare do të shqetësohen shumë. Nëse vendet rrëmbejnë shtetasit e vendeve të tjera në këtë mënyrë, këta menaxherë të lartë ndoshta do të jenë objektivi i ardhshëm. Me këtë shqetësim, Kanadaja nuk do të ketë një mjedis të mirë për investime dhe tregti të lirë.

Për të shmangur më shumë dëmtimin e marrëdhënieve Kinë-Kanada dhe për të ruajtur barazinë e drejtësinë dhe një mjedis të sigurt të tregtisë botërore, Kanadaja duhet të ndreqë gabimin e vet, të japë ndihmesë për multilaterizmin e tregtinë e lirë, të fitojë respektin dhe besimin e të gjithë botës dhe të mos bëhet bashkëfajtore në unilaterizëm.

Lirimi sa më i shpejtë i znj. Meng është një zgjedhje e zgjuar për Kanadanë. E gjithë bota i ka sytë nga Kanadaja.

Mrekulli
Lajmet Kryesore