Xi Jinping-u takohet me ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut Ri Yong Ho

2018-12-07 18:45:21 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping pati të premten në Pekin një takim me ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut Ri Yong Ho.

Gjatë takimit, Xi shprehu përshëndetje të sinqerta për liderin suprem të Koresë së Veriut Kim Jong-un, duke theksuar që vitin tjetër do të jetë 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Koresë së Veriut. Partia Komuniste e Kinës dhe qeveria kineze u kushtojnë rëndësi të madhe marrëdhënieve dypalëshe. "Kjo është politika jonë e palëkundshme. Marrëdhëniet e tanishme mes Kinës dhe Koresë së Veriut kanë hapur një kapitull të ri. Të dyja palët duhet të shfrytëzojnë rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike për të nxitur zhvillimin afatgjatë, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Pala kineze e mbështet popullin koreanoverior që, nën udhëheqjen e kryetarit Kim Jong-un, të eksplorojë një rrugë zhvillimi që përshtatet me gjendjen e brendshme. Unë uroj që të gjitha punët e Koresë së Veriut të ecin mbarë," theksoi Xi.

Që nga fillimi i këtij viti, situata në Gadishullin Korean ka pasur ndryshime pozitive dhe çështja e këtij gadishulli është kthyer në rrugën e duhur të zgjidhjes politike. Kina shpreson që Koreja e Veriut dhe ShBA-ja të ecin në të njëjtin drejtim dhe të kujdesen për shqetësimet e ligjshme të njëra-tjetrës, në mënyrë që bisedimet e paqes të vazhdojnë pozitivisht. Kina do të vazhdojë të mbështesë Korenë e Veriut dhe atë të Jugut në përmirësimin e marrëdhënieve dhe nxitjen e bashkëpunimit. Diplomacitë e të dyja vendeve duhet të vazhdojnë të shtojnë komunikimin dhe të bëjnë përpjekje të përbashkëta për marrëdhëniet dypalëshe dhe për zgjidhjen politike të çështjes së Gadishullit Korean.

Ri Yong Ho nga ana e tij i përcolli presidentit Xi Jinping përshëndetjet e liderit suprem Kim Jong-un. Ai u shpreh që Koreja e Veriut është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën për të organizuar festimin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të konsolidojë miqësinë tradicionale dhe të forcojë bashkëpunimin dypalësh. Pheniani do të vazhdojë të përpiqet për denuklearizimin e Gadishullit Korean dhe është i gatshëm të ruajë komunikimin e ngushtë me palën kineze për paqen dhe stabilitetin e Gadishullit dhe të rajonit. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore